Vllaznia e volejbollit, pas Antonit largohet edhe Nikolin Qafarena?

Pas largimit të Anton Qafarenës drejt Gjermanisë, ekipi i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë mund të ketë një tjetër firo. Dhe sërish bëhet fjalë për një Qafarenë tjetër, vëllai më i madh në moshë, Nikolini. Ekipi ka rreth dy-tre javë që ka nisur stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Adrian Mikopli por në seancat e zhvilluara ka munguar lojtari më veteran i tij. Ndonëse ende nuk ka një prononcim të vetë këtij volejbollisti, burime pranë tij bëjnë të ditur se arsyeja e mosdaljes në stërvitje ka të bëjë me anën financiare.
Nikolin Qafarena duke qenë tashmë edhe kampion i Shqipërisë kërkon një shpërblim më të madh mujor nga ana e klubit Vllaznia. Një kërkesë e tillë pritet të shqyrtohet nga ana e tyre por me shumë të ngjarë nuk do të miratohet sepse siç dihet, klubi mbështetet nga Bashkia Shkodër me një grant fondesh që ndahet pastaj sipas sporteve të veçanta dhe ky grant i cili është akorduar për vitin 2017, nuk është zmadhuar nga ekipi ka dalë kampion. Përderisa është e njëjta shumë në dispozicion për volejbollin, atëherë natyrisht që nuk mund të ketë rritje të shpërblimeve për sportistë të veçantë megjithatë Qafarena mendon ndryshe, nisur nga roli i tij në skuadër apo dhe eksperienca e madhe që ka.
Ajo që mbetet është mungesa e tij në stërvitje. Kjo padyshim që ka ndikimin e vet sepse Vllaznia e volejbollit që vetëm pak muaj më parë u shpall për herë të parë kampione e Shqipërisë, sipas gjasave nuk do të ketë në përbërje për sezonin e ri tre prej titullarëve të mëparshëm. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Qafarena dhe serbin Xhorxheviç. Me këto mungesa, padyshim që edhe objektivi për mbrojtjen e titullit kampion bëhet shumë më i vështirë megjithatë trajneri Mikopli vazhdon punën me kontigjentin aktual që ka në dispozicion por edhe me disa elementë me perspektivë që ka marrë nga ekipi i të rinjve. /rozafa.tv/