VIDEO+EMRAT – Arrestohet nga “Shqiponjat” autori i dyshuar i plagosjes së 28 vjeçarit në Perash të Shkodrës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim për plagosje me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Perash”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi i personit të kërkuar, i cili fshihej në një hotel në lagjen “Mark Lula”. Shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Elfat Salihi, 29 vjeç, banues në lagjen “Daniel Matlija”, Shkodër.


Ky shtetas dyshohet se më datë 19.04.2022, në lagjen Perash, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Edis Reçaj, 28 vjeç banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor”, shtetasi Gj. D., 59 vjeç, banues në Shkodër, pronari i hotelit në të cilin fshihej shtetasi Elfat Salihi. Shtetasi D. Gj. nuk ka kryer procedurat e nevojshme për regjistrimin dhe lëshimin e kuponit tatimor për shërbimin e ofruar në subjektin (hotelin) që administronte.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.