VIDEO – Zbulohet pulari ilegale në Berdicë, arrestohet pronari i saj, shpallet në kerkim drejtorin e AKU, ai në shtëpi…

Policia e Shkodrës ka bërë me dije përmes një komunikate zyrtare se ka shpallur në kërkim drejtorin e AKU Shkodër, Gjergj Sokoli. Kjo masë ka ardhur pasi është zbuluar një pulari ilegale në Berdicë dhe drejtori Sokoli akuzohet për “shperdorim detyre”.

“Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve në disa subjekte tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Illegality”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:


-V. Gj. 55 vjeç, banues në fshatin Bërdicë, Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.

Në vijim, u referuan materialet, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gj. S. , 55 vjeç , banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, si dhe u referuan materialet për shtetasin A. B. 55 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në aktivitetin në pronësi të shtetasit V. Gj.”, thuhet në njoftimin e policisë.

LEXONI EDHE: VIDEO – U shpall në kërkim nga policia, flet për mediat drejtori i AKU Shkodër Gjergj Sokoli…

Ndërkohë, ShkodraWeb ka mësuar se drejtori i AKU Shkodër Gjergj Sokoli, është paraqitur vetë në polici, bashkë me dokumentacionin e nevojshëm dhe në prani të avokatit për të dhënë shpjegime. Më pas, ai është larguar nga policia dhe aktualisht ndodhet në banesën e tij.

Shkodër / Informacion shtesë në lidhje me shtetasin Gj. S. të shpallur në kërkim policor, në kuadër të operacionit “Illegality”.

Shtetasi Gj. S., me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, i shpallur në kërkim policor, është vetëparaqitur në ambientet e DVP Shkodër. Pas deklarimeve të dhëna, ky shtetas është lënë i lirë.