Vllaznia ka arritur një fitore shumë të rëndësishme me Kastriotin. Pavarësisht se me një ekip që lufton për mbijetesën, tre pikët e mbajnë Vllazninë në ritmin e Partizanit, Teutës e Laçit për titullin kampion, kur kanë mbetur edhe 2 javë për tu luajtur në Superligë.
Janë 6 pikë në lojë dhe diferenca me Partizanin e Teutën, është vetëm dy pikë. Pse të mos vazhdojmë të ëndërrojmë?! Një shkodran, prodhim i shkollës shkodrane të futbollit, hapi kampionatin me golin e fitores që i shënoi Teutës në Durrës, duke ngjitur Partizanin e tij në krye me pikë të barabarta me durrësakët.
Kanë mbetur edhe dy ndeshje, të vështira për Vllazninë pasi luan me Partizanin në Tiranë ditën e premte dhe pret në Shkodër ndeshjen e fundit Laçin. Që të tre, në garë për titull. Ndërkohë, Teuta ka një përballje të vështirë këtë javë pikërisht me Laçin.
Çdo gjë mund të ndodhë, por sot kuqblutë e kanë të ligjshëm gëzimin dhe festën “e çmendur” në fushën e blertë dhe në dhomat e zhveshjes. Janë pamje amatore, jo shumë cilësore por që ngjallin tek të gjithë emocione shumë të forta.