Skuadra e Vllaznisë ka marrë një barazim 1-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës ndaj Universitatea Kraiova në Shkodër. Përballë një publiku shumë entuziast në “Loro Boriçi”, ekipi shkodran ka treguar se mund të luante shanset e tij ndaj skuadrës rumune.
Ashtu siç parashikohej, ishin miqtë që kishin më shumë iniciativën, duke rrezikuar disa herë portën e Zogoviç. Por Vllaznia do të dorëzohej vetëm me një penallti në fundin e pjesës së parë, të cilën e mbylli në disavantazh.
Aktivizimi i Markut dhe Hoxhajt në fillimin e fraksionit të dytë të lojës ktheu shpejt barazinë me një aksion të shpejtë. Goli ktheu edhe entuziazmin te shkodranët, të cilët tentuan më pas të bënin diçka më shumë në sulm por nuk shfrytëzuan hapësirat që kishin, teksa rezistuan edhe në prapavijë përballë sulmeve të rrezikshme të skuadrës rumune.
Kështu, sfida u mbyll 1-1 dhe lë gjithçka të hapur për duelin e kthimit të javës së ardhshme në Rumani.
VLLAZNIA-U. KRAIOVA 1-1
51′ Hoxhaj / 45’+1′ (p) Ivan