Një supergol i Ndriçim Shtubinës në minutën e 66-të i jep Vllaznisë fitoren në Korçë me Skenderbeun vendas. Ka qenë një lojë e zhvilluar më shumë në planin taktik, ku ekipit prisnin gabimin e njera- tjetrës. Pjesa a parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ka sjellë një supergol të 32 vjeçarit Shtubina. Lika shpërthen në krahun e djathtë, nis topin në qendër ku pas një devijimi me kokë, Shtubina me roveshatë e dërgon sferën në rrjetë.
Nuk ka munguar edhe një karton i kuq për Ualusimbin në minutën e 83-të, i ndëshkuar me të dytin e verdhë për një përplasje me Elezin dhe Dajën, por në 12 minuta e mbetura bashkë me shtesën, rezultati nuk ka ndryshuar.
Ka qenë një fitore e merituar për ekipin shkodran që e sheh veten të largohet nga zona e rrezikut në renditje, duke zhytur atje pikërisht skuadrën e Dajës që regjistron dy humbje radhazi. Shkodranët kontrolluan lojën duke mos lejuar raste të rrezikshme nga kundërshtarët e duke thumbuar herë pas here portën e Koliçit.
Ekipi vendas krijoi shumë pak në këtë duel dhe largohet nga fusha kokulur, duke vazhduar një javë të vështirë që nisi si mos më keq me bojkotin për rrogat e që tani e sheh këtë skuadër të rrezikojë në zonën e ftohtë të klasifikimit.