Partia Demokratike ka marrë një qendrim të prerë dhe të ashpër ndaj sjelljes së Policisë së Shtetit me shoqërimin e protestuesve. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Pd paralajmëron se secili që po shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi personale. “Ne nuk do ta harrojmë këtë”, thuhet në reagimin e selisë blu. Më poshtë, mund të lexoni të plotë deklaratën e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës policore ndaj kundërshtarëve politikë. Rrahja dhe keqtrajtimi i protestuesve prej policisë politike nuk ka për ta shpëtuar dot kryehajdutin Edi Rama dhe pushtetin e tij të blerë me paratë e krimit të organizuar.
Secili prej anëtarëve të Policisë Politike që, në shkelje të ligjit, po shoqëron, dhunon dhe po ushtron presion ndaj protestuesve, do të mbajë përgjegjësi personale. Ne nuk do ta harrojmë këtë!
PD falenderon çdo qytetar pjesëmarrës në protestë, që sakrifikoi sot diçka nga vetja për t’i shërbyer misionit madhor të çlirimit të qeverisjes nga një grusht hajdutësh, oligarkësh dhe kriminelësh, që ka marrë peng vendin.
16 Shkurti është fillimi i betejës për çlirimin e vendit nga Kryeministri hajdut. Fundi i tij është i pakthyeshëm!
Shqiptarët treguan sot se, të bashkuar, mund ta mposhtin të keqen! E enjtja është shumë afër.