-1-
Checco Zalone është për mua komiku i momentit në Itali. Imitimet dhe monologjet ironizuese të tij, janë të një planeti tjetër. I adhuruar nga të gjithë, aktori puliez, pati një moment të vështirë në karrierën e tij, pikërisht pas daljes së “Sole a catinelle”, filmi nga i cili u bë zyrtarisht milioner. Po çfarë ndodhi?
Zalone (në film), pas premtimit që i bëri të birit për t’a çuar me pushime, nëse dilte me të gjitha dhjeta, u detyrua të mbante fjalën dhe ta çonte në një vend të humbur ku kishin mbetur disa familjarë të moshuar. Në rajonin e Molise.
Nga sa tregohet në film, Molise është një zonë e humbur dhe siç thotë aktori komik: “Chi viene a Molise, e uno sfigato”.
Pas daljes së filmit plasën polemikat nga autoritetet dhe banorët e Molise, të cilët me vështirësi dhe pas shumë ndjesave, ia falen Zalones, talljen që i’u bëri. Problemi ishte se mijëra nga banorët e Molise, nisen të firmosin peticione kundër filmit, edhe pse ende nuk kishin shkuar për ta parë.
Për tu kthyer në aktualitetin tonë.
Në këndvështrimin tim, një komik, përdor gjithmonë ironinë për të evidentuar problematikat dhe për të përçuar një mesazh. Normalisht nuk mundem të shkruaj asnjë rresht për filmin e Ermal Mamaqit, përderisa nuk kam parë asnjë sekond të tij. Mendoj se të njëjten gjë duhet të benin edhe ata që po shkruajnë pafund pa e parë asnjë sekuencë të tij.
Unë personalisht se kam plan të shoh, jo filmin, por as trailer-in. Dhe normalisht se kam në mend të diskutoj për këtë prodhim. Kjo per dy arsye: E para, prezenca e kryeministrit si aktor më çon në idenë e palëkundur se filmi është në shërbim të politikës. E dyta, kam humbur kohë me filmin e parë të Mamaqit, dhe nuk dua të ndodhe sërish.
Gjithsesi, ju që e analizoni dhe e shani, më mirë shikoni filmin për të folur për filmin. Kaq. E thjeshtë.
-2-
Tashti do flasim për tjetër.
Jul Deda sot ironizon kur ne i quajmë aktorët sharlatanë. Ironizon kur thotë se çdo gjë shkon keq për fajin e aktorëve dhe se Shqipëria është vend i korruptuar për fajin e tyre. Këtë e bën për ti dalë krah Mamaqit, mikut të tij “komik”.
Po që brenda ironisë së tij, ka një të vertetë. Fatkeqësisht në këtë vend, do apo nuk do Juli, njerëzit e artit, (kryesisht aktorët) janë pa më të voglin dyshim, paterica të pushtetit. Janë ata, të cilët thirren me një mesazh, sa herë ky i fundit kërkon të manipulojë shqiptarët.
Kujtoni fushatën e Lalit me fidanët dhe çizmet e lopatat në duart e aktorëve dhe këngetarëve. Të gjithë në rresht me batuta bajate përkrah monstrës së betonit.
Kujtoni debatin për teatrin dhe Arben Derhemin e Robert Ndrenikën. Dolën si skuthat përkrah pushtetit.
Kujtoni sa herë shfaqen përkrah pushtetit aktorët e varieteve të humorit, duke u zgërdhirë si idiotë nga batutat idiote të liderëve. Kolegët e tyre në të gjithë botën, do të neveriteshin, do të shqyenin sytë sesi një artist shkon si lakè pas një politikani, kur kudo në botë duhej të ishte ndryshe, politikani të mbante radhë për t’u takuar me një artist. Por jemi në Shqipërinë e Ermal Mamaqit, eksponentit më të spikatur të kësaj strategjie fitimprurëse, të vënies së artit në funksion të pushtetit. Në Shqipërinë e Mamaqit, i cili me Edi Ramën po kthehen në një binom “dashnorësh artistikë” të denjë për t’u bërë personazhe në filmat e Woody Allen.
Prandaj mos merremi me një film që as nuk e kemi parë. Problemi nuk është filmi, por Ermali dhe ermalët e tjerë. Ata kanë shitur shpirtin të djalli në pushtet, e ndërsa ne merremi me një film, ata do nxjerrin filmin tjetër, e pastaj tjetrin e tjetrin. Gjithmonë në shërbim të pushtetit e në bashkepunim me pushtetin.
Thjeshtë bojkotojini. Kaq mundeni ta bëni. /Nga Taulant KOPLIKU, marrë nga profili në Facebook/