“Ta harrojë PD-ja dhe Ramadan Lika se fiton ne Koplik. Këtu do të fitojnë ata që kanë punuar për komunitetin, ata që e kanë transformuar qytetin, ata që kanë sjellë ujë të pijshëm dhe energji elektrike gjatë 24 orëve. Këtu do të fitojë Partia Socialiste, numri 12 në fletën e votimit dhe deputeti ynë Paulin Sterkaj, numri 2 si kandidat në Qarkun e Shkodrës.”.
Ky ka qenë mesazhi që i kanë përcjellë qytetarët e Koplikut kandidatit për deputet Paulin Sterkaj të hënën gjatë një takimi elektoral. Vetë kandidati Sterkaj, duke sjellë në vëmendje transformimet e thella që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve jo vetëm këtu në Koplik por në të gjithë trevën e Malësisë së Madhe, është shprehur:
“Në Koplik kemi realizuar vetëm 30% të projekteve tona, po kështu edhe në shumë zona të tjera të Malësisë, prandaj kërkojmë që me 25 prill të votoni për vazhdimin e punëve të nisura, të votoni Partinë Socialiste, numrin 12 në fletën e votimit.”.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, Nënprefekti Hysen Hysaj , kryetari i PS- së Lulzim Zaraj, nënkryetarja e Bashkisë Nertila Bajramaj, kryetari i FRESH Ermal Rrustemaj dhe disa prej qytetarëve që folën gjatë takimit, kanë bërë thirrje që me 25 prill masivisht të votohet Partia Socialiste, numri 12 dhe Paulin Sterkaj, numri 2 në fletën e votimit. Takimi ka qenë me pjesëmarrje të gjërë, entuziast dhe me besimin në fitore me 25 prill.