
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në drejtim të zyrës elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë. Për pasojë, një person ka mbetur i plagosur. Shtetasi Bledar Okshtuni është qëlluar me armë zjarri në pjesën e këmbës.
Ai është dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet për rastin. Policia thekson se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta ku ka mbetur i plagosur një 27 vjeçar.
Në deklaratë thuhet se autori i dyshuar është identifikuar dhe po punohet për arrestimin e tij. Mësohet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është nisur drejtë Kavajës, atje ku pak minuta më parë u shënuan disa të shtëna me armë zjarri në selinë e kësaj partie.

Ndërkohë, kandidatja për deputete e PD-së, Grida Duma ka dhënë disa detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në zyrën e selisë së PD-së në Kavajë.
Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur Bledar, Okshtuni, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Duma ka zbuluar edhe emrat e personave që kanë hyrë në zyrën e PD-së, të cilët janë Ndriçim Jonuzi, Markel Shtylla- drejtori i Policisë Bashkiake dhe Dorian Troplini.

Grida Duma: Incidenti dhe aksidenti janë të gjitha me arsye politike. Tre personat e përfshirë në këtë krim janë të lidhur me PS. Nga çasti në çast ne presim Bashën të vijë dhe shohim se di do të procedojmë.
Është një djalë i një familje që ne e quajmë pishtar të demokracisë. Autorët janë aktivistë të PS-së të njohur të gjithë nga qyteti i Kavajës. CV e tyre nuk janë aq të nderuara. Këta janë emrat: Ndriçim Jonuzi, Markel Shtylla-drejtori i Policisë dhe Dorian Troplini.
Njoftimi i Policisë
Plagosi me armë zjarri 27 vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!