Siç kishin paralajmëruar, mjekët e Shkodrës kanë lënë sot punën për rreth 1 orë. Ata janë tubuar para hyrjes së Spitalit Rajonal të Shkodrës, në një protestë- solidarizim me mjekët që janë goditur në krye të detyrës. Rasti më i fundit, ai i mjekut të Lezhës. Natyrisht, vemendja mediatike ka qenë mjaft e lartë dhe vetë mjekët kanë përcjellë mesazhet e tyre. Mjeku i njohur Gëzim Galiqi, njëkohësisht edhe këshilltar bashkiak i Shkodrës nga rradhët e PS-së ka thënë se: “Mjekët janë fëmijët më të kuruar të këtij populli, sepse janë studentët më të mirë. Ata nuk mund të jenë kriminelë, asnjë nga ata.”.
Mjeku tjetër kirurg, koleg i Galiqit, Shpëtim Ymeri ka thënë se: “Kjo është një protestë, një formë solidarizimi ndaj fenomenit që ka ndodhur këto vitet e fundit, ndaj dhunës së ushtruar kundër mjekut dhe bluzave të bardha.”.
Nuk është hera e parë që mjekët e Shkodrës organizohen në protesta të tilla. Në shumë raste, edhe në mbështetje të kolegëve të cilët janë përfshirë në çeshtje hetimore- gjyqësore dhe duhet thënë se përgjithësisht, mobilizimet e tyre kanë patur efekt.