Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, të cilët aktualisht i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale. Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteliere në Durrës.
Qytetarët janë pritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.
Ndërkohë kryeministri Rama ka publikuar një video në Facebook, ku shihen afganët e parë që mbërrijnë në Shqipëri. Brenda të njëjtës video, ministrja e jashtme Olta Xhaçka flet për operacionin humanitar. Rama e shoqëron videon me këtë tekst:
MIRËMËNGJES PA U GDHIRË 😊
dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën🙏
#KrenarpërShqipërinë🇦🇱