VIDEO – Lamtumirë Paulin Preka! Mjeshtri i Madh i humorit shqiptar do të prehet përjetësisht në Shkodrën e tij…

Sot Mjeshtri i Madh i humorit shqiptar Paulin Preka, ka hyrë për herë të fundit në Teatrin “Migjeni”, tempullit të artit ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, duke argëtuar e gëzuar me talentin e tij mijëra shkodranë. Ai kishte lënë amanet të prehej në Shkodrën e tij të dashur, qytetit që i dha gjithçka nga vetja, edhe në momentet më të vështira që kalonte kryeqendra e Veriut.

Në dyert e Teatrit “Migjeni” të parët që e kanë pritur, kanë qenë ish- kolegët e tij dhe drejtorja e institucionit. Në sytë e tyre dalloheshin lotët që nuk i mbanin dot por edhe dhimbja për humbjen e njërit prej kollosëve të humorit shqiptar. Ata janë po të parët që vendosin tufa me lule dhe takohen për herë të fundit me Paulinin.


Pas tyre, rreshti vazhdon i gjatë, shumë i gjatë. Janë aktorë e ish- aktorë, autoritete, personalitete por edhe qytetarë të thjeshtë. Kanë ardhur të nderojnë idhullin e tyre në art, njëkohësisht edhe burimin e gëzimit të tyre, edhe para vitit 1990, atëherë kur diktatura përpiqej të komandonte edhe të qeshurën e shkodranëve.

Familja Preka, e ardhur nga Italia për të lënë në Shkodër përjetësisht njeriun e tyre të dashur, pret ngushëllimet e rastit. Pikëllimi duket qartë por Sokoli, njëri nga djemtë e Paulinit gjen forca. Me shumë modesti, ai flet për babain dhe falenderon kolegët që e ndihmuan të jetë sot ai Paulin Preka që e njeh e gjithë Shqipëria e shqiptaria. Drejtorja e “Migjeni” Rita Gjeka shprehet: Falenderojmë Zotin që e solli në gjirin tonë!

U prehsh në paqe në gjirin e Shkodrës tënde Paulin Preka! Do na mungosh vetëm fizikisht sepse do të vazhdojmë të buzëqeshim e gëzojmë me artin tënd që na le pas ne dhe brezave që do të vijnë. /ShkodraWeb/