ANALIZA – Largimi i Berishës për ti hapur krahun dikujt apo ndonjë marrëveshjeje të mundshme, hipoteza e ditëlindjes rrëzohet pa u ngritur

Në fakt gazeta që sot i është rikthyer “falsifikimit” të ditëlindjes së ish- kryeministrit Sali Berisha, e ka trajtuar këtë temë disa herë. Për herë të fundit, me 26 maj 2016. Por ndryshe nga publikimi i sotëm, ndryshimin e gjeneraliteteve e paraqiste si “15 tetori është shpikur dhe dëshira e tij që ditëlindja të ishte afër ditëlindjes së Enver Hoxhës  (16 tetori) mund të jetë një shkak”.

Në atë kohë, KQZ- ja nuk ia vuri veshin për të bërë ndonjë verifikim nëse Berisha kishte shkelur ligjin me fshehjen e të dhënave të ndryshuara nga ish- shefi i qeverisë. Sot, jo detyrimisht KQZ duhet të mbajë të njëjtin qendrim, aq më shumë pas shpalljes “non grata” të Berishës nga SHBA- ja por edhe presionit publik të ambasadores Kim.

Historia e ditës së lindjes së Berishës është diskutuar e polemizuar prej shumë kohësh. Madje edhe vetë ish- kryeministri ka dhënë një version për ditëlindjen. Po çfarë tregon rikthimi i kësaj teme nga një e përditshme shqiptare, haptas dhe prej shumë vitesh kritike në maksimum ndaj Berishës?

Që nga dita kur SHBA e shpalli “non grata” vetë Berisha ka kërkuar fakte nga Departamenti i Shtetit që mbështesin vendimin e marrë. Për këtë arsye, pra të detyrojë Departamentin e Shtetit të publikojë fakte, Berisha ka hapur edhe një çeshtje gjyqësore në Francë kundër sekretarit Blinken. Deri më sot, nga asnjë burim nga ka indicie e aq më pak fakte për korrupsion të Berishës apo favorizim të aleatëve të tij të dikurshëm.

Këto 30 vite, nuk mund të kenë një “gjynahqar” të vetëm në politikën shqiptare. Sigurisht, Berisha është ndër politikanët më me ndikim në këto vite, por nuk mund ti faturohen të gjitha mëkatet e një tranzicioni të lodhshëm. Aq më shumë kur gjatë këtyre viteve, qoftë në pushtet apo opozitë, ndaj Berishës nuk është hapur nga drejtësia shqiptare, as kjo e reja, asnjë çeshtje gjyqësore.

Papritmas, Berisha është kthyer në “të keqen më të madhe” të vendit. Po krijohet ideja se largimi i tij nga parlamenti do të sjellë “parajsën” për këtë vend. Se po “të bëhet shembull” Berisha, Shqipëria do të nisë ecjen për kah duhet. Aq më tepër, kur zërat kritikë, madje edhe që kërkojnë largimin e tij nga parlamenti, kanë nisur të vijnë edhe nga brenda PD- së, parti që e drejtoi deri në 2013- ën.

Por a mund të jetë vertetë kështu? Që largimi i Berishës nga parlamenti të sjellë atë që të gjithë shqiptarët presin? Që nga shkurti 2019 dhe deri me 10 shtator 2021, Berisha nuk ishte deputet, nuk kishte imunitet parlamentar, i cili për shumë çeshtje nuk e favorizon shumë përballë drejtësisë. Askush nuk u kujtua për të, as “drejtësia e re” e as rivalët politikë. U kujtuan vetëm pasi SHBA e shpalli “non grata”, vetëm pasi kuptuan se as me “non grata”, Ligji i Dekriminalizimit nuk e pengon të jetë deputet.

Atëherë, duhej rikthyer ideja e “ndryshimit të padeklaruar të ditëlindjes”, duke paraqitur disa faksimile të regjistrave të gjendjes civile të Tiranës, për të cilët u kujtuan se ekzistojnë vetëm tani. Në fakt, ka një pyetje të thjeshtë dhe që mbyll shumë diskutime. Sali Berisha zgjodhi 15 tetorin si ditëlindje “për ta afruar me atë të diktatorit Hoxha (16 tetor)”. Çfarë arsyeje do të kishte ta ndryshonte apo falsifikonte në një regjistër të vitit 2009, siç pretendon gazeta e përditshme shqiptare? Përkundrazi, ai do të ishte i interesuar që ta fshinte këtë datë të lindjes.

Edhe një detaj tjetër. Prej vitesh qarkullon në internet një dokument, teserë e PPSH- së, ku pretendohet se është e tij. Mund ta lexoni qartë e saktë se cila është ditëlindja e deklaruar në të. Të paktën, për ata që e kanë publikuar këtë dokument apo pretendojnë se dokumenti është i vërtetë.

Për ti krijuar “probleme” Berishës, për ti rrezikuar mandatin e deputetit siç po përpiqen nga shumë anë, duhen gjetur regjistra të tjerë të gjendjes civile. Ndoshta ai i vitit 1954 kur u regjistruan shqiptarët nën diktaturë për herë të parë. Të tjerat janë dhe mbeten “llogje Kavaje”, qytet nga ku Berisha është zgjedhur disa herë deputet. Nëse po kërkohet që Berisha të largohet për ti hapur krahun dikujt apo ndonjë marrëveshjeje të mundshme, duhet gjetur rrugë tjetër. Kjo e ditëlindjes, është rrëzuar pa u ngritur si hipotezë. /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Channel