VIDEO – “Këto janë rrugët drejt fitores, ne jemi ndryshimi”, kur Benet Beci, sot deputet i PS- së, bënte fushatë për PD- në në 2013- ën

Benet Beci është sot deputet i Partisë Socialiste për Qarkun Shkodër. Si pjesë e listës me 25 prill 2021, Beci përfaqëson tashmë në Kuvend PS- në. Ai është konsideruar si teknicien, duke iu besuar pozicione mjaft të rëndësishme si drejtimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit apo edhe KESH. Beci ka mbajtur poste të rëndësishme qoftë gjatë viteve të qeverisjes së PD- së, ashtu edhe të PS- së. Madje jo vetëm kaq. Si teknicien, nuk ka ngurruar të ngjitet edhe në foltoret e partive politike, duke dhënë mesazhe politike e duke bërë fushatë haptas.

Kështu ka ndodhur për shembull në vitin 2013, kur nga foltorja e Partisë Demokratike, në transmetim LIVE tregonte se rrugët që po bënte FSHZH- ja e drejtuar prej tij, “ishin rrugët e fitores” dhe se “ne jemi ndryshimi”, siç ishte edhe slogani elektoral i PD- së në 2013- ën. Fjalimi zgjat më shumë se 6 minuta dhe përballë Benet Becit në platenë e Pallatit të Kongreseve, ishte kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, edhe kryetar i PD- së; kryeparlamentarja Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD- së; ministra të kohës e drejtues të PD- së.

Në fakt, edhe vetë kryeministri Rama e ka konsideruar Becin si të djathtë, edhe gjatë prezantimeve në fushatën elektorale të 25 prillit 2021. Nga ana tjetër, Benet Beci është përpjekur të qendrojë vetëm brenda kontureve të teknicienit. Edhe pse kjo video e vitit 2013, tregon se ai është përfshirë edhe në fushatë elektorale. Dhe duket se Beci i beson asaj çfarë thotë, i beson PD- së dhe platformës së saj në 2013- ën, i beson edhe fitores në zgjedhjet politike të atij viti. Pak a shumë, të njëjtat gjëra besonte dhe i beson edhe tani, të artikuluara gjatë fushatës së 25 prillit 2021, këtë herë si pjesë e PS- së e sot, deputet në Kuvend. Asokohe, Benet Beci ishte thjesht një zyrtar që nuk kërkonte mandat politik. /ShkodraWeb/

ShkodraWeb Channel

Open

Close