Më frymëzoi Ina sepse tha që votat më të mëdha ju do ti merrni nga gratë edhe vajzat. Është shumë e vërtetë kjo pjesë sepse ju zoti Basha sot përmes një programi të detajuar të konkretizuar keni lënë një zë të veçantë në rolin dhe në fuqizimin e gruas në shoqërinë tonë. Është një term i cili shpesh herë është përdorë dhe nganjëherë është tepruar me këtë term por asnjëherë nuk është bërë asgjë sidomos në këto 8 vite të fundit, femrës shqiptare, gruas, vajzës shqiptare i është vënë këmba dhe është diskriminuar në format më të ndryshme.
Për të pasë një shoqëri sa më të zhvilluar ne patjetër që duhet me pasë një grua, një vajzë të mirë shkolluar duhet me pasë një grua, një vajzë me një ekonomi të fortë, duhet me pasë një grua, një vajzë të pavarur e cila mundet me qenë kontribuuese në fusha të ndryshme të jetës, qofshin këto të pushtetit lokal, administrativ, qeverisës. Gruan e ka bekuar Zoti me dhuntinë më të madhe për me dhënë jetë, me qenë nënë. Unë jam nënë e dy vajzave, Iris dhe Jozefinë të cilat janë rritë, janë edukuar në qytetin e Shkodrës.
Unë jam bijë e Shkodrës dhe jam shumë krenare që ato po marrin një edukatë shumë të mirë nga ai qytet i cili nuk është kursyer asnjëherë me i dhënë dhe paraqitë vetëm vlera Partisë Demokratike dhe mbarë Shqipërisë. Ne kemi misionare, kemi shkencëtare, kemi ekonomiste shumë të zonja, kemi drejtuese, jo vetëm të zonjat në profesion, por edhe të forta dhe këmbëngulëse në vendimet e tyre. Na kemi martire si Marie Tuci, martire të kishës katolike.
Unë vij nga bota akademike, kam titullin doktor shkencash në të drejtën private, kështu që e kam shumë për zemër familjen, sepse studimet e mia janë thelluar pikërisht në këtë temë. Kam dhënë për vite me rradhë mësim në auditorët e fakultetit të drejtësisë “Luigj Gurakuqi” dhe me thënë të drejtën, pjesa më e madhe që frekuentonin studimet për juridik ishin vajza, të cilat më pas nuk e gjetën veten për të operuar në fushën e tyre.
Mbaj mend disa raste, ishin shumë të zonja, shumë të përgatitura dhe sa herë vinin pranë meje për të marrë një konsultë në formulimin e formularëve të cilët të cilët do të aplikoshin, të cilat do të aplikoheshin për institucione të policisë, më ka bërë shumë përshtypje kjo pjesë, ato e ndjenin veten për të qenë të angazhuara, por asnjëherë nuk u aprovuan, mund të jenë aprovuar sa për fasadë një pjesë e vogël e tyre. Përfshirja ime në politikë nuk është aksidentale, as rastësore, unë kam filluar që në moshën 16 vjeç, kam filluar herët në vitin ‘96, e paraprij vitin për të ju treguar që e kam kaluar edhe 97-tën.
Madje një ditë në një bashkëbisedim me zonjën Vokshi, kam kujtuar periudhën kur isha e vetmja grua, zëdhënëse më mirë me thënë në 97-tën në Partinë Demokratike, që kontaktohesha me zonjën Vokshi, motrën e saj gazetare përmes linjave telefonike dhe përçoja veprimtaritë apo ngjarjet që ndodhnin në 97-tën në Shkodër. Kemi kaluar kohë të vështira. Shkodra historikisht e persekutuar, Shkodra historikisht është nëpërkëmbur për të vetmen arsye dhe të vetmin faktor që nuk është përulur asnjëherë, në asnjë moment atyre të cilëve u kanë rënë kundër parimeve dhe lirisë, parimeve demokratike.
Unë jam e bindur që lëvizjet e para, se vetë historia e dëshmon këtë, lëvizjet e para demokratike, ose shkëndija e parë lindi pikërisht në Shkodër dhe jam shumë krenare për këtë pjesë. Ishte populli i Shkodrës, ishin të gjithë ato burra dhe gra, të cilët në një revoltë të brendshme e shpërthyen në protesta, të cilat më pas do të ndiqeshin nga protesta të tjera dhe përmbysjen e sistemit. Jam krenare që jam bija e atij qyteti që përcjell vetëm vlera, kam pas fatin për të qenë drejtuese, kryetare e Këshillit të qarkut të Shkodrës, më ka takuar për shkak të detyrës të operoj në shumë zona të qytetit, me të vërtetë kemi zona shumë të thella dhe gratë janë të bratisura atje zoti kryetar, ju e dini, sepse e njihni mirë Shkodrën, e keni vizituar disa herë.
Kemi zona të cilat vazhdimisht janë të prekura nga bandat e krimit, nga ekonomia e dobët dhe e them sipas statistikave, Veriu i Shqipërisë është ajo zonë që është prekur më shumë nga emigracioni. Ato lot nënash që i mungon çdo natë fëmija e tyre nuk ja falin Edi Ramës këtë gjë, jam e sigurt. Nuk është një thënie e Greta Bardelit por është një thënie e gjitha atyre grave që takoj çdo ditë në qendra të mëdha e të vogla. Unë e nisa fjalën time duke u mbështetur tek Ina, por e kam bindje të plotë dhe sot më lejoni ju lutem të bëj vetëm një thirrje. I joni sot është një mision dhe është duke na rënë ne, një mision historik, një mision i cili do ta arrijë jo vetëm të ndërrojë sistemet apo qeverisjet, por do të jetë një mision që do të shikojë të ardhmen në dekada të tjera me rradhë.
Është një mision historik sepse ne çdo ditë po bashkëpunojmë dhe i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit çdo qytetari përtej ngjyrave politike. Jemi zotuar pranë tyre që do të bëjmë më të mirën e mundshme, jemi zotuar pranë tyre që do të kenë një kryeministër njërzor së pari, një kryeministër normal, një kryeministër i cili do të mundohet të jetë çdo ditë pranë halleve të tyre dhe ti gjejë zgjidhje këtyre halleve. Kështu që unë kam vetëm një ftesë sot, përmes kësaj platforme. Ju lutem me 25 prill shkoni dhe votoni, votoni Partinë Demokratike, votoni kryeministrin e ardhshëm zotin Lulzim Basha, shpresën e Shqipërisë, ju faleminderit. /Fjala e mbajtur nga Greta BARDELI GJONI, kandidate për deputete e PD- së Shkodër gjatë prezantimit të Programit pët Barazinë Gjinore “Shqipëria fiton”/