Avokati i Arsen Stojkut, i cili akuzohet si i përfshirë në ekzekutimin e dy vëllezërve Bilali në Shkodër dy vite më parë thotë se Prokuroria nuk ka asnjë provë direkte apo indirekte që e përfshin atë në ngjarje. Në një komunikim për mediat, pas seancës së zhvilluar ditën e sotme, avokati tha se nuk ka besim tek drejtësia. Sipas tij, janë shkelur të gjitha procedurat dhe të drejtat e personit.
Sipas avokatit mbrojtës, Artan Gjuzi procesi është paragjykuar sepse me përpara janë dënuar përkrahësit e dyshuar të autorit shtetasit Myslim Rama me 4 vjet e gjysme dhe me 2 vite shtetasi tjetër Denis Brahimi, ndërkohe qe nuk është dënuar ende autori i dyshuar.
“Mendojmë se kemi nevojë për mbështetjen e mediave pasi nuk kemi besim për drejtësinë për këtë shtetas, që në momentin që është arrestuar dy vite më parë janë shkelur procedurat dhe të drejtat e personit që akuzohet për një vepër penale. Janë gjykuar dy persona të tjerë dhe janë në përfundim të gjykimit, Myslym Rama dhe Denis Brahimi që akuzohen për përkrahje të autorit. Pra dënohen dy person për përkrahje të autorit në krim, ndërkohë që ne autorin nuk e kemi”.
Ai ka denoncuar po ashtu se Stojku është mbajtur pa të drejtë në kushtet e torturës së jashtëzakonshme për 50 ditë.
“Për zotin Stojku është mbajtur 50 ditë në qelitë e izolimit në kushtet e torturës së jashtëzakonshme. Kemi bërë kallëzim për drejtorin e burgut, i cili mbante padrejtësisht të gjithë të dyshuarit.
Kemi shkelje të procedurës dhe të drejtave të njeriut. Në këto momente që flasim personi është transferuar në burgun e Burrelit pa asnjë indicje. Prokuroria nuk ka asnjë provë direkte. Akuzohet për vrasje por nuk kemi asnjë provë direkte apo indirekte.
Arsen Stojkun e përfshin në këtë ngjarje një makinë që është parë në vendin e ngjarjes me një disk të ngjashëm që ka qenë Arsen Stojkun një apo dy ditë më parë. Pra vetëm një disk i makinës e përfshin atë në ngjarje”, tha avokati.
LEXONI EDHE: Zbardhet ngjarja e rëndë e 30 marsit, ku humbën jetën vëllezërit Bilali- bien në pranga dy persona, dy janë në kërkim