Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu me bashkëshorten e tij, kanë qenë ditën e djeshme për një vizitë tek Kopshti Zoologjik në Tiranë. Çifti amerikan së bashku me një grup nxënësish të huaj që banojnë në Tiranë, kanë vizituar ambientet e ndryshme të Kopshtit Zoologjik.Ambasadori amerikan ka ndjekur me kureshtje edhe lojërat apo eksperimentet në natyrë të të rinjve.
“ZooPark çdo javë pret vizita, orë mësimi, praktika e aktivitete. Së bashku me GreenLineAlbania i japim hapësirë edhe takimeve me nxënës të huaj me banim në Tiranë, shpjegojmë kuriozitete, dëgjojmë e bashkëbisedojmë për projektet”, sqaron Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e cila kujdeset për t’i dhënë ZooPark një pamje dhe një mjedis mikpritës për çdo vizitor.