Prokuroria e Përgjithshme pas kërkesës së KQZ për verifikimin e të dhënave për ish-deputetin Sparta Braho, ka marrë vendimin, në të cilin thuhet se Spartak Braho nuk preket nga dekriminalizimi.
Në vendimin e siguruar, i firmosur nga prokurja Rovena Gashi, thuhet se Braho nuk ka të dhëna për vendime penale të formës së prerë ose jo përfundimtare, apo vepra penale të tjera të kryera brenda territorit të Shqipërisë.
Gjithashtu në vendim thuhet se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, Braho nuk rezulton ë jetë në kërkim ose hetim nga organet ligjzbatuese për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në datë 27 shkurt 2017 ka bërë kërkesën për verifikimin e Spartak Brahos, i cili në atë kohë ishte deputet dhe Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur se pas një verifikimi të plotë dhe të gjithëanshëm, Braho, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, nuk përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike.
Sipas dokumentit, Braho ka vetëm një gjobë prej 10 mijë lekë të reja për veprën penale të “Shpifjes”, e cila nuk përfshihet në ndalimet e caktuar në ligjin e dekriminalizimit. /shqiptarja.com/