Pas debateve të ashpra për disa orë, Komisioni i Ligjeve ka miratuar numrin e punonjësve për organet e Vettingut duke e shkurtuar këtë me 75 punonjës, ndryshe nga ç’ishte kërkuar. Komisioni miratoi numrin e punonjësve për Kolegjin e Apelimit, Komisionin e Kualifikimit dhe Komisionerin Publik, 110 punonjës në staf për këto institucione të rëndësishme të Vettingut, nga 185 që ishin kërkuar. Por “Panorama” mëson se Saimir Tahiri nuk ka votuar fare, ndryshe nga mazhoranca.
Sakaq, pas seancës reagoi Eduard Halimi i cili tha: Ky vendim është kërcënim për procesin. Shpresojmë që Partia Socialiste të reflektojë.
‘Sherr’ te Ligjet/ ‘S’duam luks’, Kuvendi shkurton strukturën. PD kundër: Shtoni stafin për Vetingun
Debate të forta në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, teksa diskutohet struktura e Kolegjit të Apelimit. Kuvendi ka vendosur që të shkurtojë numrin e punonjësve, nga 65 që u kërkuan në 37. Kjo është bërë shkak për plasjen e debatit të ashpër mes palëve.
Përfaqësuesja e institucionit ka akuzuar se me këtë reduktim cenohet puna e kolegjit. Në krah të kërkesës ka dalë edhe PD, e cila ka akuzuar shumicën se po shkurton stafin për Vetingun, pasi nuk e ka përparësi. /panorama/