Edhe pse nuk njihen ende me saktësi termat e marrëveshjes së nënshkruar këto ditët e fundit ndërmjet Vatikanit dhe Republikës së Kinës, mund të themi me siguri se kjo marrëveshje është një arritje, edhe pse nuk është një risi në llojin e saj. Kush e njeh historinë e konkordateve, e di se marrëveshje të ngjashme janë bërë ndërmjet shteteve komuniste dhe Vatikanit edhe gjatë Luftës së Ftohtë, nën ombrellën e të ashtuquajturit fenomen të Ostpolitik. Papa Pali VI, në vitet ’60, tentoi disa marrëveshje me ishvendet komuniste, në mënyrë që të përmirësoheshin kushtet e të krishterëve katolikë në vendet komuniste, ku ato përndiqeshin për shkak të besimit të tyre. Marrëveshje u arritën me Poloninë, Hungarinë dhe Rumaninë e në forma të ndryshme edhe me vende të tjera të kampit socialist. Në fakt, këto marrëveshje sollën një lloj përmirësimi të kushteve dhe lirisë fetare të katolikëve, edhe pse shumë të kufizuara. Një nga pikat më të kundërshtuara ishte pikërisht emërimi i ipeshkvijve, të cilët janë udhëheqësit e dioqezave katolike në një territor të caktuar kombëtar dhe garantojnë vazhdimësinë e kishës në këto territore. Për qeveritë komuniste të kohës, shihej me dyshim prania e një autoriteti tjetër “paralel” që bënte emërime në një vend me një regjim totalitar. Madje, shihej edhe si cenim i sovranitetit. Prandaj, regjimet komuniste donin të kontrollonin edhe këtë proces që në kishën katolike është ekskluziv i Papës, pasi vetëm ai mund të emërojë ipeshkvij në një kishë lokale për sa i përket ritit latin. Këtu hyn edhe Shqipëria.
I vetmi vend komunist, në të cilin nuk u arrit asnjë marrëveshje në kohën e Luftës së Ftohtë, ishte Shqipëria. Regjimi totalitar i Enver Hoxhës nuk pranoi asnjë lloj kompromisi me Vatikanin. Përpjekja e krijimit të një kishe kombëtare, të shkëputur nga Selia e Shenjtë në Shqipëri, e ideuar në sallat e Komitetit qendror të Partisë së Punës, nuk pati sukses, madje pati edhe pasoja në jetën e dy ipeshkvijve si Arqipeshkvi i Durrësit, Imzot Vincenc Prennushi, dhe Abati i Mirditës e delegat apostolik, Imzot Frano Gjini. Statutet e kishës katolike nuk patën jetëgjatësi e madje ata që aderuan në nënshkrimin e këtyre statuteve u panë disi shtrembër nga pjesa tjetër e klerit, që nuk aderoi fare. Për këtë na jep dëshmi edhe Atë Zef Pllumi në librin e tij “Rrno për me tregue”. Nëse nga njëra anë kishim një regjim kryefort e aspak bashkëpunues, por intolerant për të drejtat fetare, nga ana tjetër, po ashtu katolikët shqiptarë, u kundërvunë deri në ekstrem ndaj atij regjimi. Këta të fundit nuk mund ta shihnin veten të shkëputur nga kreu i tyre shpirtëror, Papa. Po ashtu, komunistët shqiptarë nuk mund të pranonin një formë tjetër pushteti në Shqipëri, duke mos qenë të aftë të ndanin natyrat e ndryshme të këtyre dy pushteteve, që në fakt nuk pengonin njëri-tjetrin. Prandaj, në Shqipëri përplasja qe fatale në dëm të katolikëve e sigurisht edhe të shprehjeve të tjera fetare në vend.
Regjimi komunist shqiptar jo vetëm nuk pranoi asnjë marrëveshje, por konsekuent deri në fund me një politikë izoluese të vendit, në vitin 1967 asfiksoi çdolloj forme jete fetare në vendin tonë. Kështu, Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera komuniste, që persekutimin e gërshetuan me forma relative të lirisë fetare, arriti deri aty sa të shpallë në vitin 1976 ateizmin në Kushtetutë.
Dihet se këto masa patën pasoja të rënda në jetën e shumë bashkësive katolike të Shqipërisë, por edhe për jetën e shumë individëve. Paradoksi është se persekutimi i katolikëve në Shqipëri momentin e tij kulmor e pati pikërisht në kohën e revolucionit kinez. Por nëse në Kinë katolikët vazhdonin e kanë vazhduar për të gjithë kohën jetën e tyre nën katakombe, të fshehur, në Shqipëri as të fshehur nuk vazhduan, sepse regjimi komunist shqiptar nuk la asnjë hapësirë veprimi. Edhe ndonjë ipeshkëv i mbijetuar, i emëruar sipas Patër Zef Pllumit në mënyrë të dyshimtë, Imzot Nikoll Troshani, u vu në kushtet e një pamundësie të plotë veprimi.
Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit u bë e mundur vetëm në vitin 2005, kur u ratifikua nga Parlamenti shqiptar. Falë kësaj marrëveshjeje, tanimë kemi një regjim lirie të sanksionuar edhe në parametra juridikë.
Aktualisht, marrëveshja ndërmjet Vatikanit dhe Kinës, përveç ngazëllimit në shumë njerëz, ka ngjallur edhe debate, si një lloj përuljeje që Vatikani ka bërë ndaj qeverisë kineze. Por, mendoj se çështja nuk duhet parë në këto terma dhe se mund të ketë edhe këndvështrime të tjera. Çdo marrëveshje është një lloj kompromisi. Sigurisht, ata që kanë vuajtur gjatë gjithë këtyre viteve, pasi kanë qenë në klandestinitet të plotë e të rrezikuar gjatë gjithë kohës, mund të ndihen të anashkaluar. Por, në fakt, mund të themi se ka qenë pikërisht forca dhe sakrifica e tyre, që ka bërë të mundur ardhjen në një kompromis të tillë. Emërimi i ipeshkvijve do të bëhet gjithsesi nga Papa e, në këtë mënyrë, qeveria kineze pranon një të drejtë ekskluzive të kreut të kishës katolike e, nga ana tjetër, Vatikani pranon që procesi i përzgjedhjes të kalojë nëpër rrugë të ndryshme në krahasim me shumë vende të tjera.
Kjo ngjarje është një shembull se si po të punoh et me anë të dialogut, arrihen shumë rezultate, edhe pse mund të jenë të ngadalta e që kërkojnë shumë kohë. Rruga e dialogut është gjithnjë fituese në krahasim me rrugën e intolerancës dhe ngujimit në bindjet vetjake. Regjimi komunist shqiptar nuk arriti të dialogojë asnjëherë, prandaj shoqëria shqiptare doli më e shkatërruara në krahasim me shoqëritë simotra të kampit socialist, pasoja të cilat i vuajmë edhe sot e kësaj dite. Dashtë Zoti, që të dimë gjithmonë të ulemi përreth një tryeze për të gjetur zgjidhjet e duhura për të mirën e përbashkët. /Nga Dom Gjergj META/