Juventus zbarkon në Shqipëri. Fjala është për ekipin e futbollit të femrave, që do të luajë ndeshjen e parë të play-off me Vllazninë. Vajzat bardhezi vijnë me ambicie, për të kaluar për herë të parë në grupet e Women Champions League, një sukses që natyrisht e kërkojnë edhe vajzat shkodrane. Ato janë akomoduar në Shkodër në mjediset e Golden Palace Hotel, pronë e ish- ptresidentit të Vllaznisë Valter Fusha. Në një prononcim për mediat, menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, trajneri i ekipit të Juventusit, Joe Montemurro, pohoi se Vllaznia është ekip i fortë dhe ka eksperiencë në kupat e Evropës.
“Luajmë me ekipin kampion të Shqipërisë dhe natyrisht nuk ka asnjë nënvlerësim. E kemi parë lojën e tyre dhe është një ekip që të hap probleme. Fakti që luajmë ndeshjen e kthimit të Torino, nuk do të thotë asgjë, do të luajmë fort në të dyja sfidat” – u shpreh tekniku italian.
Është hera e parë që Juventus kërkon të marrë pjesë në Grupet e Ligës së Kampioneve dhe për këtë trajneri Montemurro kërkon vlerësim ndeshjeve me Vllazninë.
“Kalimi në grupet e Women Champions League do të ishte sukses për klubin, për ambientin dhe tifozët. Emri Juventus është i madh dhe prandaj do të përpiqemi të japim më të mirën.”
Edhe Vllaznia është gati për t’u përballur me Juventus. Ekipi shkodran e vajzave arriti një sukses historik, duke u kualifikuar mes 32 skuadrave më të mira në Champions. Trajneri Nikolin Leka thotë se skuadra është gati.
Ndeshja e parë Vllaznia-Juventus do të luhet të mërkurën në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 19:00, ndërsa ndeshja e kthimit pas një jave në Torino.