
Dy ditë më parë një ngjarje e pazakontë ndodhi, pasi policia arrestoi banorin e Big Brother VIP, Liam Osmani. Ndërkohë janë publikuar edhe pamjet, kur uniformat blu u futën brenda shtëpisë për të ekzekutuar vendimin. Në foto shihet momenti kur policia e priste në dhomën e surprizave, ndërsa më pas Liam u shoqërua.
Përpara arrestimit, teksa vijonte rrugëtimin në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Liam Osmani deklaroi në dhomën e rrëfimit se pjesëmarrja në program ishte një shans për tu rikthyer në vendin e tij.
“Këtë shans po e përdor për tu rikthyer në Shqipëri. Dua të qëndroj me prindërit e mi këtu. E ti marr ato lekët, që uroj ti marr (çmimi i madh)”, është shprehur ai.
Arrestimi
Strukturat e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin bënë ndalimin e shtetasit Liam Osmani, 44 vjeç, teksa ai ndodhej në shtëpinë e Big Brother Albania Vip 3.
Prokuroria e Tiranës, më datë 09.05.2022, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 23.02.2022, për dënimin e këtij shtetasi me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.