Platforma Kombëtare per Grate (PKG), një grupim vullnetar i grave dhe vajzave te Shqiperise, nga te gjitha forcat politike si dhe me gra dhe vajza jashtë partive, u mblodh sot në Kavajë, në vijim të takimeve sensibilizuese që po zhvillon në gjithë vendin.
Ne, anëtaret e Platformës Kombëtare të Gruas, u bëjmë thirrje sot grave të të gjithë Shqipërisë, të flasin me një zë, jashtë interesave të ulëta, qofshin politike, qofshin private, dhe të kërkojmë të gjitha sëbashku:
1. Barazia gjinore të mos përdoret politikisht për të luajtur lojëra në kurriz të demokracisë dhe përfaqësimit të barabartë mes dy gjinive. Gratë nuk janë fasadë e politikës!
2. Gratë që janë aktualisht në politikë, të harrojnë dasitë partiake dhe të bashkojnë zërin e tyre me ne për një përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të grave në zgjedhjet e ardhshme. Liderët politikë janë të përkohshëm, por gratë dhe vajzat janë gjysma e përhershme e këtij vendi.
3. I bëjmë thirrje Aleancës së Grave Deputete të angazhohet thelbësisht dhe publikisht për të garantuar përfaqësim të drejtë gjinor në zgjedhjet e ardhshme. Gratë e partive nuk janë ushtare të kryetarëve, as përfaqësuese të interesave të ngushta. Ato duhet të na përfaqësojnë denjësisht të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë.
U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal, organizatave të shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare që:
Të angazhohen me forcë që të përmirësojnë shanset e një përfaqësimi të ekuilibruar gjinor në masën 50 % si në Parlament, edhe në këshillat e bashkive, nëpërmjet një kuadri ligjor të përmirësuar, të plotë, konsensual, i cili gëzon jo vetëm mbështetjen e sa më shumë aktorëve politikë, por konsensusin edhe të grave dhe vajzave kudo në Shqipëri.
Platforma Kombëtare per Grate inicuar ne Sarande ne 2008 dhe shnderruar ne një forum që nuk financohet nga asnjë donator, dhe nuk ia nënshtron interesin e përgjithshëm dhe kauzën e barazisë gjinore asnjë force politike apo qëllimi të ngushtë përfitimi.
U bëjmë thirrje grave dhe vajzave të Shqipërisë kudo që janë, por edhe atyre burrave që e kuptojnë rëndësinë e lëvizjes tonë, të bashkohen për ti vënë përballë përgjegjësisë të gjithë ata që i bëhen pengesë barazisë gjinore në Shqipëri, dhe të kërkojnë sa më shumë informim, përfshirje dhe konsultim të grave dhe vajzave në çdo aspekt të reformës zgjedhore që prek barazinë gjinore në vend. /DEKLARATË E PKG – PLATFORMËS KOMBËTARE PËR GRATË, 23 SHTATOR 2020/