Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Shkodër këtë të premte, nuk do të mbahet. Zyrtarisht thuhet se ajo është shtyrë për një datë tjetër, kjo pas kerkesës së qeverisë së Kosovës.
Në rrjete sociale kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti shkruan se është dakorduar me kryeministrin Edi Rama që mbledhja e parashikuar të premten, të mbahet më 2 tetor.
“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, shkruan Hoti.
Lajmi për mbledhjen e përbashkët u bë i ditur me datë 21 shtator 2020, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ku zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim, tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar.
Ndërsa sot, është mësuar se kjo mbledhje është anuluar për tu zhvilluar në një datë tjetër. /ShkodraWeb Media/