9 pikë nga 21 të mundshmet. Kjo është statistika e parë që bie në sy në renditjen e sivjetme të Supërligës për Vllazninë. Krahasuar me sezonin e kaluar, janë 7 pikë më pak, teska në javën e 7- të kryesonin Superligën me 3 pikë më shumë se Kukësi. Pavarësisht asaj që artikuohet për blerjet e bujshme sidomos në sulm, këtë sezon është shënuar i njëjti numër golash si në Supërligën e kaluar, 13 gola!
Ajo që vihet re, sërish nga shifrat krahasuese, është se sivjet mbrojtja e Vllaznisë “po fut shumë ujë”. Sezonin e kaluar deri në javën e 7- të, Vllaznia kishte pësuar vetëm 6 gola, sivjet dyfishin, plot 12 gola. Pika dobët sivjet është pikërisht prapavija dhe është urgjente që të rregollohet diçka nëse duam që ekipi të jetë në lojë për trofetë.
Sivjet në 7 javë janë regjistruar 2 fitore, 3 barazime dhe dy humbje. Në sezonin e kaluar shënonim 5 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje. Për hir të realitetit, vitin e kaluar Vllaznia u favorizua nga fakti se konsiderohej “Hirushe”, jo pretendente për titull, ndërsa sivjet, është shenjestra për tu mundur e të gjitha ekipeve.
Nga 16 pikë në javën e 7- të të Supërligës së vjetshme, 7 ishin siguruar jashtë fushe, 2 fitore dhe një barazim. 9 pikët e tjera u siguruan falë 3 fitoreve dhe një humbjeje në shtëpi. Sivjet, në tre ndeshje në “Loro Boriçi”, janë siguruar 4 pikë, me një fitore, një barazim dhe një humbje. Jashtë fushe, janë siguruar 5 pikë me 1 fitore, 2 barazime dhe një humbje.
Superligën e kaluar, 6 golat e pësuar në 7 javët e para, Vllaznia i mori në ndeshjet në “Loro Boriçi” teksa në ndeshjet jashtë, porta mbeti e paprekur. Në këtë sezon, ka pësuar 6 gola jashtë fushe dhe po kaq në shtëpi në 7 javët e para.
Dy humbje radhazi, me Kukësin në Rrogozhinë e Tiranën në Shkodër, janë një këmbanë e fortë alarmi. Pas Pogradecit për Kupën, në fundjavë udhëtohet drejt Rrogozhinës për tu ndeshur me Egnatian. Një rezultat negativ, do të hapte “kapitullin” e krizës tek Vllaznia, të cilin sezonin e kaluar kuqeblutë e kaluan në fazën e tretë.
Në letër sivjet, bazuar edhe tek emrat, Vllaznia duket më e fortë, edhe pse krahasimi i 7 javëve i jep të drejtë ekipit të vjetshëm. Fitorja jashtë fushe me Laçin dhe ajo në Shkodër me Dinamon, ishin shkëndija të një Vllaznia që e duan të gjithë dhe që ka potenciale, me plot 11 gola. Ajo që duhet në këtë moment, është një shkundje e fortë, pse jo duke analizuar edhe shifrat e sezonit të kaluar.
Stafi administrativ dhe ai teknik, është thuajse i njëjti me përjashtim të Safet Osjes që sivjet nuk është pjesë e KF Vllaznia. Grupi i sivjetshëm i futbollistëve duket më i kompletuar. Rebusi mbetet të nga Brdariç, Djarmati dhe ndihmësit e bashkëpunëtorët e tyre teknikë. E nëse situata e pakënaqëshme vazhdon, atëherë duhet të ndërhyjnë drejtuesit administrativë të Vllaznisë, pikërisht në stafin teknik. /ShkodraWeb/