SPAK merr nën hetim Ilir Metën, kërkohet informacion nga KQZ dhe Gjendja Civile për ish- presidentin…

SPAK merr nën hetim kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Prokuroria e Posaçme i ka dërguar një shkresë KQZ-së ku i kërkon informacione për Metën, konkretisht formularin e vetëdeklarimit.

Raportohet se në KQZ ka mbërritur një kërkesë nga SPAK, ku kërkon një kopje të formularit të vetëdeklarimit të ish-deputetit Ilir Meta në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dorëzuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Metaj (Meta).


SPAK po kryen hetimet në funksion të procedimit penal nr.122 të këtij viti. Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal kërkohet formulari i vetëdeklarimit të pasurisë të dorëzuar në KQZ nga Meta.

Tashmë KQZ do duhet t’i përgjigjet SPAK duke i vënë në dispozicion vetëdeklarimin që z. Meta ka dorëzuar në KQZ. Dokumentacioni i përket vetëdeklarimit të vitit 2013 nga z. Meta.

Ndërkohë, lideri i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka nxjerrë një tjetër shkresë të SPAK në kuadër të hetimit që po bën ndaj tij në funksion të procedimit penal nr.122, të vitit 2022.

Bëhet fjalë për një shkresë ku SPAK i kërkon informacion Gjendjes Civile mbi gjeneralitetet duke përfshirë edhe ndryshimet, për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal.

Meta e cilësoi këtë shkresë “një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës”. Ai theksoi se shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më dhe se Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!