“Shton vuajtjet e mijëra qytetarëve për të marrë drejtësi”, kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia reagon për hartën e re gjyqësore

Shkruan në Facebook Bardh Spahia, kryetar i Bashkisë Shkodër: Nga mediat jam njohur me një tjetër nisëm që i bën dëm qytetarëve të Shkodrës dhe i cënon e i kufizon atyre aksesin në drejtësi. I heq një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë siç është Gjykata e Apelit.

Një institucion i pavarur që sërish i largohet Shkodrës duke u spostuar drejt Tiranës për të gjithë Shqipërinë.


Thirrjet e profesionistëve siç ndodh në realitetin ku jetojmë sërish ranë në vesh të shurdhër, ndërkohë që ato që do të paguajnë këtë kosto janë sërish shkodranët.

Askush nuk mori parasysh, transportin drejt Tiranës, sot me një çmim nafte më të rritur, (më i larti në rajon), pa të keqen e shqyrtimit të dosjeve, radha e të cilave sot është deri në 5 vite për një çështje.

Gjykata e Apelit është institucioni i 5-të në radhë që i largohet Shkodrës, duke sjellë një dëmtim jo vetëm në xhepat e qytetarëve, por edhe në kohën e shqyrtimit të dosjeve.

Një vendim i tillë nuk rrit efikasitetin, siç pretendohet, por shton vuajtjet e mijëra qytetarëve për të marrë drejtësi.

Si Kryetar i Bashkisë Shkodër, ftoj edhe kolegët e bashkive të tjera si dhe deputetët që të ngrejnë këtë shqetësim, kundër centralizimit të institucioneve në Tiranë, duke lënë pa shërbime banorët e rretheve e duke i kthyer shpinën shërbimit ndaj tyre.