Vjen radha edhe për Ramën, kryeministri i Shqipërisë takohet në Kiev me Zelenskyn, ja kush e shoqëron në Ukrainë

Kreu i qeverisë shqiptare do të ketë një takim me Presidentin e Ukrainës Volodomyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ukraina ndodhet nën sulmet e egra ruse që prej 24 shkurtit të vitit 2022.

Disa liderë botërore kanë vizituar Kievin në javët pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, për të shprehur mbështetjen e tyre për sovranitetin territorial të këtij vendi dhe për të dënuar ashpër sulmet e Vladimir Putinit.


Kujtojmë që Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për konfliktin e shkaktuar nga Rusia në Ukrainë.

Disa javë më parë, Rama u pyet në lidhje me një vizitë të mundshme në Kiev, ku dha këtë përgjigje:

“Ka të tjerë para meje që meritojnë ta kenë këtë protagonizëm, mendoj se nuk është momenti që t’ju zë radhën të tjerëve. Nëse do të vinte radha, padyshim që do e pranoja këtë vizitë me respektin më të madh”.

Sipas medias malazeze “Vijesti”, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç është ideatori i një vizite të përbashkët në Ukrainë nga liderat e Ballkanit Perëndimor.

Abazoviç “ka pranuar ftesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të vizituar Kievin, pas një telefonate që kanë pasur të enjten e javës që lamë pas”, zbardh detaje “Vijesti” teksa shkruan se ideja e Abazoviç është pranuar nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.

Në një bisedë zhvilluar me Zelensky, Abazovic theksoi se “Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim. Ai theksoi se Mali i Zi mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në deklaratën zyrtare nga kryeministria e Malit të Zi.