ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Sensibilizim/ Engini 3- vjecar ka nevoje per ndihmen tone qe te jetoje…

Engini lindi i shëndetshëm dhe i bukur. Vogëlushi gëzonte gjithë përkudesjen e prindërve, por kur ishte 4 muajsh, teksa qëndronte në krahët e nënës, nisi të dridhej e humbi ndjenjat. Aty për aty mamaja, Joana, nuk e kuptoi ç’po ndodhte. Engini u kthye vetë në gjendje të vetëdijshme, por kjo krizë me të dridhura të forta do t’i përsëritej shumë herë.
3-vjeçari është sot i paralizuar dhe ka humbur të folurit. Pas 2 ndërhyrjesh në laring dhe qëndrimit në reanimacion për shkak të një distrofie celebrale, nëna e tij thotë se Engini nuk do të flasë dot më kurrë.
Që kur ishte 4 muajsh, e deri tani, kemi hequr shumë. Disa herë i kemi humbur shpresat. Ka ikur e është kthyer prapë, por këtë herë nuk e di sesi shpëtoi. Mjekët më thanë se ka shpëtuar për një fije peri. Muajve të fundit po jetonte me një çerek mushkërie, ka jetuar me frymëmarrje të drejtuar, me tuba në laring,-shprehet ajo,
Mjekët shqiptarë nuk arrijnë ta shpjegojnë pse një 3-vjeçar duhet të vuajë në të njëjtën kohë nga disa sëmundje. Të dridhurat duket se mund të jenë pasojë e një para-epilepsie, e cila për të mos u përkeqësuar duhet mbajtur nën kontroll. Por nuk është problemi i vetëm i Enginit. Ai ka probleme të rënda me mushkëritë dhe për një kohë, mjekët menduan se nuk do t’ia dilte të jetonte.
Megjithatë, edhe pse i paralizuar dhe i pamundur për të folur, Engini është gjallë dhe ka ende shpresë për të. Prej një muaji e gjysmë, mamaja e ka nxjerrë nga reanimacioni me shpresën për ta çuar për ekzaminime në Turqi. Diçka e pamundur për gjendjen e tyre ekonomike, pa të ardhura e pa asnjë mbështetje. Joana për momentin është e papunë, sepse i duhet të kujdeset për të birin 24 orë, 7 ditë në 7.
1500 euro mund t’i shpëtojnë jetën Enginit të vogël. Joana na shpjegoi plot drojë se sipas llogaritjeve të saj, kaq i duhen sa për ta çuar në Turqi e për të bërë kontrollet e nevojshme. Me zërin që i dridhej kur fliste për të, na shpjegoi se ndonëse këtu i ka bërë të gjitha ekzaminimet- skaner, ezhe, rezonancë magnetike- mjekët nuk po i vënë dot emër krizave të tij.
Por ajo s’e di çfarë përgjigjeje do të marrë nga mjekët turq. Joana shpreson që të marrë, më në fund, një diagnozë të saktë e të dijë ç’mjekime t’i japë të birit. Por ndoshta mund t’i duhet të qëndrojë atje; edhe pse nuk e përmendi kurrë gjatë bisedës me Anabel.al, Joanës mund t’i duhen edhe më shumë para.
Duhet ta shikojnë njëherë mjekët në Turqi, pastaj do të na drejtojnë për atë se çfarë mund të bëjmë. Këtu s’kanë ç’i bëjnë, madje krizave nuk po u vënë dot një emër. E vetmja gjë që më ngushëllon është se tani të paktën, pjesën më të madhe të ditës e kalon me frymën e vet,-shtoi ajo.
Edhe pse për momentin Engini ndodhet në gjendje të qëndrueshme, problemet me frymëmarrjen mund t’i kthehen në çdo kohë. Ndoshta të gjitha këto vatra sëmundjesh vijnë nga një anomali e lindur e gypit të laringut, të cilin Engini e ka më të ngushtë se ç’duhet. Mushkëritë i furnizohen me shumë pak oksigjen dhe po kështu, edhe truri.
Të gjitha shpresat mbeten tek ekzaminimi në Turqi. Me një shumë sado të vogël, të gjithë së bashku mund ta ndihmojmë Enginin e vogël të jetojë e të marrë frymë lirisht, si gjithë fëmijët e tjerë.
Mund të kontribuoni duke derdhur para në këto llogari bankare:
Numri i llogarisë në Euro pranë Raiffeisen Bank: 0001393616
IBAN: AL82202112570000000001393616
Kodi Swift: SGSBALTX
Numri i llogarisë në Lek: 0020393616
IBAN: AL75202110990000000020393616
Kodi Swift: SGSBALTX
Numri i familjarëve:  069 289 3634

Për tu bërë pjesë e grupit "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kerkesa juaj do të shqyrtohet menjëherë. KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.