Roma “parakalon” Inter, Lazio dhe të tjerët…kuqeziu Kumbulla vishet verdhekuq, shkodrani 10 mln euro rrogë…

Dueli i ashpër mes Interit dhe Lacios eliminoi nga gara Juventusin, por edhe klube angleze si Mançester Junajtid e Totenhem apo edhe Borusia Dortmund, por në mënyrë të papritur, Roma ka surprizuar këdo paraditen e djeshme.


Klubi kryeqytetas, i fortë edhe pas ardhjes në krye të miliarderit amerikan Dan Fridkin, jo vetëm që ka parakaluar këdo, por ka në dorë kartonin e Marash Kumbullës. Pikërisht kështu, talenti i Veronës dhe i Kombëtares së Shqipërisë pritet që t’i bashkohet në orët e ardhshme “Ujkonjës”, pasi klubet në fjalë nga dje kanë nisur edhe shkëmbimin e dokumentacionit për “diamantin” 20-vjeçar kuqezi.

Kumbulla, i cili ishte pa dyshim zbulimi më i madh i sezonit të kaluar në Serinë A, duket vetëm një hap larg Romës dhe sigurisht që përderisa edhe Marashi ka thënë “po”, ka mbetur i kënaqur jo vetëm nga garancitë teknike, si titullar i skuadrës, por edhe nga oferta ekonomike, e cila është më e larta edhe kundrejt asaj që ofronte Interi dhe Lacio.

Fakti që Roma dhe Hellas Verona kanë shkëmbyer dje dokumentacionet, pikësëpari konfirmon se tratativa është në një fazë më shumë sesa të avancuar. Presidenti Seti ka pranuar ofertën e huazimit me detyrim blerjeje verën e ardhshme, për 30 milionë euro, menjëherë pasi Roma i ka shitur nën kosto Veronës Mert Cetin (kushtoi për 7 milionë euro, ndonëse turku vlerësohej 13 milionë nga verdhekuqtë), me 23-vjeçarin që pritet të jetë zëvendësuesi i Kumbullës te Hellasi.

Kjo tratativë e mbyllur shumë shpejt mes dy klubeve konfirmon marrëdhënien e shkëlqyer mes tyre, por edhe faktin se në orët e ardhshme pritet të përfundojë me sukses edhe kontrata me Marash Kumbullën, të cilin në Romë e pret një kontratë 5-vjeçare dhe me një pagë që përveç 2 milionë eurove neto në sezon, do të ketë edhe një seri bonusesh deri në 500 mijë euro të tjera.

E thënë ndryshe, me kalimin në kryeqytet, Kumbulla do të ketë të sigurta 10 milionë euro në total për 5 vite, por edhe një bluzë prestigjioze për të luftuar për kualifikimin në Champions sezonin e ardhshëm. /Përgatiti: JETON STAMOLLA, PanoramaSport/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania