Edi Rama nuk është më një menaxhues i aftë i komunikimit publik. Të paktën me gazetarët. Pas studiove televizive, kjo po vërehet edhe tek komunikimi me gazetarët e terrenit. Rasti më i fundit, i Ambrozias gjatë konferencës pas kthimit nga Sofia.
Edi Rama nuk po shfaqet i aftë ë mbajë përbrenda edhe gjërat e pakëndëshme, të cilat dikur i fshihte me batuta apo edhe me gjestikulacion. Sot, atë që ai përjeton brenda për brenda, e shfaq. Natyrisht, nuk e thotë haptas por veprimet, mosveprimet e tij tregojnë shumë.
Edi Rama solli sot lajmin që në qershor, me shumë mundësi, nuk do të ketë dhënie statusi të vendit kandidat në BE për Shqipërinë. Në fakt, ndjehej në eter edhe pak orë para se Komisioni Europian të shpallë rekomandimin për çeljen e negociatave.
Edi Rama e dinte, sot e dinë edhe shqiptarët që Komisionin Europian është thjeshtë një “qeveri” europiane por që nuk merr vendimet e rëndësishme si ai për Shqipërinë. Është Këshilli i Bashkimit Europian ai që vendos, edhe për rastin e Shqipërisë.
Edi Rama e ka të qartë që statusi nuk merret qoftë edhe për një votë kundër të 28 vendeve antare të BE-së. Për të gjitha këto, pas samitit të Sofjes ai nuk u shfaq aspak optimist, për të mos thënë dukshëm pesimist për ftesën që edhe këtë qershor, nuk do të vijë.
Edhe pak ditë, Edi Rama do të festojë 5- vjetorin e ardhjes në pushtet dhe 1- vjetorin e rikonfirmimit “spektakolar” me timon i vetëm në dorë, për mandatin e dytë. Këto ditë fatkeqësisht do të përkojnë me dështimin e rradhës për statusin e vendit kandidat në BE.
Është e qartë se nuk mund të thotë në çdo moment se “fajin e ka Luli”. Nuk është më i besueshëm aq më shumë kur tashmë pas një ish- ministri të brendshëm “njolloset” një ministër i brendshëm në detyrë. Ndërkombëtarët, edhe kur nuk flasin publikisht, mbajnë shënime dhe shprehen përmes institucioneve.
Mbase i brishtë akoma brenda PD-së, Lulzim Basha po rezulton shumë i fortë në skakierën politike shqiptare, sidomos në raport me integrimin dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Fuqia e Bashës më shumë se nga përtej oqeanit, duket se është e bazuar tek “kontineti plak”, pikërisht aty ku Rama pret me ankth një përgjigje.
Lulzim Basha ia ka dalë të krijojë perceptim në Europë për inkriminimin e disa eksponentëve të rëndësishëm të mazhorancës. Sidomos, lidhur me pandëshkueshmërinë e tyre. Deri tani të paktën, duket se Basha ja ka arritur të jetë pse jo faktor i rëndësishëm për integrimin.
Gjithë këtë periudhë Rama është përpjekur të anashkalojë deri në injorim Bashën lidhur me integrimin. Sipas gjasave, me synimin që të marrë për vete të gjitha bonuset e mundshme mga BE. Jo vetëm kaq. Përpara shqiptarëve është përpjekur ta shfaqë si pengesë në rrugën e integrimit të vendit.
Edi Rama e ka ditur gjithmonë por ka shpresuar, ndërsa tashmë edhe shqiptarët e kanë kuptuar se kryeministri i vetëm, pa liderin e opozitës, nuk mund t’u sigurojë integrimin. Sot me 18 maj, një vit nga marrëveshja që i siguroi mandatin e dytë si timonier i vetëm Edi Ramës, çdo gjë është e qartë.
Edi Rama duhet të bëjë lëshime në favor të fuqizimit të opozitës nëse synon që deri në fund të mandatit, vendi të marrë statusin e vendit kandidat. Pavarësisht se të padukshme, bonuset e Bashës që buruan nga marrëveshja e 18 majit, do të nisin të prodhojnë rezultate edhe të dukshme. Veç kësaj, me marrëveshjen e 18 majit, Basha ka siguruar një pavarësi totale përballë ndërkombëtarëve duke u kujtuar se falë asaj marrëveshje, “i përzgjedhuri” i tyre është në pushtet.
Si mund të arrihet më parë integrimi? Formula është e njohur. Në 2009-ën ishte mundësia e parë, por që Berisha nuk e preferoi, për të mos lënë vendin pa opozitë, siç e ka pranuar vetë. Historia është mësuesi më i mirë i njeriut. Rama e Basha e dinë mirë këtë aksiomë. /Nga Blerti DELIJA/