Kështu i është drejtuar një drejtor rajonal në Shkodër një vartësi të tij, jo punonjës i thjeshtë por të themi drejtor më “i vogël” se ai. Ma treguan para pak minutave këtë histori, e cila nuk është as e para dhe as e fundit në Shkodër e përtej saj.
Po ta përmend emrin, shumica në “nahijen” tonë por edhe jashtë saj mund ta njohin përsonazhin kryesor të kësaj ngjarje që do të harrohet deri në shuarje si shumë të tjera. Sepse askujt nuk i bën përshtypje, sepse ky është standarti që jemi përpjekur të ndërtojmë nga 1990-a e këtej. E mesa duket, ia kemi dalë me sukses…
Personi që i thanë “jep dorëheqjen sepse…ti nuk di të vjedhësh…” punon në një drejtori rajonale mjaft të rëndësishme, ka një eksperiencë pune në shtet jo të papërfillshme dhe mbi të gjitha…çuditërisht qenka edhe i ndershëm. Çuditërisht, sespe shablloni me të cilin përgjithësisht jemi përballur me “shërbëtorët e shtetit” është shumë më i ndryshëm.
Në një vend normal, sistemi i qarkullimit të elitave (apo kuadrit siç thuhej para 1990 dhe disa vite pas), do ta evidentonte dhe do ta stimulonte. Sot, është thuajse e sigurtë që nuk do të ndodhë. Për shumë arsye, por duke nisur nga vetë personi në fjalë. Po të dalë e të thërrasë “unë jam i ndershëm, prandaj më hoqën nga puna” do ti pëshpërisin afër veshit “sa gjynah i shkreti…paska marrë fund, edhe i ri rreziku”. Sepse askush nuk i beson askujt që një zyrtar sado i thjeshtë i shtetit, nuk vjedh…kur i jepet rasti ose të paktën, kur nuk ndjehet i rrezikuar kur kryen një veprim të tillë.
Ajo që është për të “vënë kujen” është se shefi i tij që i kërkon dorëheqjen, vazhdon karrierën siç edhe më herët. Nuk është çudi edhe të gradohet, ndoshta mund ta tërheqin edhe në Tiranë. E pas disa viteve, mund të rikthehet për të kërkuar votën si kryebashkiak apo deputet! A nuk po flasim për qarkullim elitash?!
Ajo përralla e “Republikës së re” vdiq pa lindur mirë akoma. Por që ka nevojë për një shkundje, trandje të fortë… Meqë Rilindja (ri- pjellja) siç i thonë disa kolegë të mijë dështoi me turp, meqë edhe “ajina” me vetëm një timonier vazhdon të futë ujë nga të gjitha anët, shpresat janë të vakëta që të ketë ndryshim statusquo-je.
Atëherë, çfarë mbetet? Sot regjistruam një rast të ri të përjashtimit nga sistemi i një individi që nuk vjedh ose të paktën, nuk i duken vjedhjet sepse i kamuflon bukur. Nesër ndoshta do të jemi “pushim”, por është e sigurtë që me këtë trend do të ecim. Sepse për këtë “luftuam” nga 1990 e këtej dhe sot i themi jo pa krenari “hallall ja baftë Zoti, ka vjedh boll por edhe ka punu, e ka ndryshu Shkodrën”. Në asnjë fushatë elektorale nga 1996 e këtej që kam ndjekur nga afër, nuk kam dëgjuar të thuhet “të votojmë filanin se është i mençëm, i ditur” por “ta votojmë sepse është i fortë, ka para, ka rreth familjar e taraf”. E pastaj dalin në shesh çmimet er blerjes së një vote, diçka më shumë se një thes miell. Por kjo është temë tjetër, sepse shoqëria shqiptare është vetë një “rreth vicioz”. /Nga Blerti Delija vetëm për ©ShkodraWeb/
P.S. Autori i kërkon ndjesë “personazhit” kryesor të këtyre rradhëve dhe e garanton se nuk do ta dekonspirojë asnjëherë emrin e tij, deri sa ai vetë të vendosë të zbulojë identitetin dhe të denoncojë publikisht apo edhe ligjërisht shefin që i tha “jep dorëheqjen sepse…ti nuk di të vjedhësh…”.