Sot ka ndodhur një gjysmë mrekullie, pjesa e mbetur e mrekullisë duhet të ndodhë me 23 maj. Edhe ajo e ndarë në dy stadiume: Në Korçë dhe në Tiranë. Në Korçë duhet mundur me çdo kusht Skenderbeu, i cili tashmë është e qartë se nuk është i motivuar pasi është kampion dhe pret finalen e Kupës me Laçin. Nga ana tjetër, Partizani është plotësisht në lojë për Europën dhe i duhet fitorja. Aq më tepër kur në krahun tjetër, Laçi nuk do ta ketë të vështirë të mundë Teutën e cila sot siguroi mbijetesën duke shpartalluar Lushnjen.
Duket se gjithçka deri tani po flet për Vllazninë. Deri në orën 16.00 të ditës së sotme, kueqblutë ishin thuajse të rënë, ndërsa Kamza thuajse e shpëtuar. Pas orës 18.00 shanset janë më të mëdha për Vllazninë se për Kamzën. Kjo falë fitores së Laçit sot në Kamzë por edhe fitores shumë të vuajtur të Vllaznisë në Shkodër me Kukësin.
Historia përsëritet për Vllazninë. Si edhe vjet, mbijetesa vendoset në 90 minutat e fundit, këtë herë në stadiumin e Korçës, por më shumë fati i kuqe bluve është në këmbët e Partizanit, i cili luan edhe për Europën e vet. Nëse “të kuqtë” bëjnë lojë të ndershme, pas stëmundimit me Laçin, Kamza mundet lehtë në Tiranë. Por edhe nëse ndeshja del barazim, Vllaznia nuk është automatikisht e eleminuar nga Supërliga. Ka rëndësi golavarazhi, i cili deri tani është në favor të Kamzës, por duhet parë a do të fitojë Vllaznia në Korçë dhe sa mund ti shënojë Skenderbeut të pamotivuar.
Pra, në favor të Vllaznisë janë dy nga tre rezultatet e mundshme të ndeshjes Partizani- Kamza, ndërsa Vllaznia duhet të fitojë me doemos në Korçë.
Edhe vjet me Tiranën në Shkodër, në ndeshjen e fundit në “Loro Boriçi”, Vllaznia kishte në dorë dy rezultate: fitoren dhe barazimin, duke siguruar qëndrimin në Superligë përmes 0 – 0 me bardheblutë që ranë nga Superliga. Sivjet, ndryshe nga 2017-a, më shumë se në këmbët e Vllaznisë, mbijetesa është tek këmbët e futbollistëve të Partizanit.
Nëse “të kuqtë” do të tolerojnë deri në humbje, ateherë ekpi nuk do të luajë në Europë duke hequr dorë nga jo më pak se 200 mijë euro fitim, por edhe do të tregoheshin me gisht si ekipi që rrëzoi Vllazninë për motive jo sportive. Edhe pse në fakt drejtuesit kanë thënë se si nuk toleruan Vllazninë, nuk do të tolerojnë asnjë ekip. /Shënim i ShkodraWeb/