“Pse iu bashkova Kuvendit të Berishës”, deputetja Ina Zhupa, mbështetëse e ish- kryetarit Basha tregon arsyen…

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka sqaruar arsyet se pse shkoi në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit edhe pse më parë ka qenë e pranishme në Kuvendin e 18 dhjetorit të organizuar nga Lulzim Basha.

“Unë kam vendosur që t’i bashkohem Kuvendit të 30 prillit sepse aty ishin demokratët. Ishin demokratë të degës time që ma kërkuan këtë gjë. Për faktin e dytë, midis atyre që ndodhën në dhjetor dhe këtij Kuvendi, ishin zgjedhjet e 6 marsit të cilat na paraqitën një konfigurim të opozitës ku shumica ishte në njërën anë dhe pakica në anën tjetër.


Të ndarë ne do bëjmë të njëjtën betejë që bëmë më 6 mars. Për vendin e dytë ose të tretë dhe larg qoftë do të shkojmë tek ajo që parashikoi zoti Zogaj, në dy parti të ndara. Do i bënin shërbim vetëm Edi Ramës dhe demokratëve. Ndaj unë shkova atje për të dhënë shembullin tim për një proces bashkimi”,  tha Zhupa në “Opinion”.

“E tejkalova veten për hir të demokratëve. Unë jam e bindur, edhe nga bisedat me kolegët, nuk besoj se do jetë vendim përfundimtar. Jam e bindur se të gjithë kolegët, siç e kanë shprehur në mbledhjet e grupit, janë për një bashkim. Janë të gatshëm të bëhen pjesë e një procesi që bashkon PD-në. Shumë prej deputetëve u deleguan në zonat e 6 marsit”, tha Zhupa.

35 deputetë nuk shkuan në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit dhe vetëm 17 prej tyre ishin të pranishëm.