Imzot Angelo Massafra, prej mëse 25 viteve, është figurë qendrore e Kishës Katolike në Shqipëri. Një italian i natyralizuar shqiptar tashmë, imzot Massafra përveç se arqipeshkëv metripolit i Shkodër- Pult, është edhe president i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare.
Në jo pak raste, ai ka dhënë mesazhe të forta dhe të rëndësishme gjatë predikimeve të tij si meshtar, ndërsa sot, ai është shfaqur me një dimension tjetër, të cilin deri tani nuk ia njihnim.
Luigj Mila, drejtor ekzekutiv i Komisionit “Drejtësi& Paqe”, një nga bashkëpunëtorët e afërt të imzot Massafrës, ka publikuar sot një video disa minutëshe në rrjete sociale. Prelati i lartë i Kishës Katolike, shihet duke luajtur në bateri, i shoqëruar me tingujt e kitarës.
Nuk është e qartë nëse ka qenë ndonjë improvizim i imzot Massafrës apo është një pasion i hershëm i tij, të cilit i është rikthyer. Në videon e publikuar në rrjete sociale, Mila shprehet shkurt “Imzot Massafra në një profil që se keni parë kurrë. Baterist”.