Pritet mbërritja e refugjatëve të parë afganë në Shqipëri, 300 do të sitemohen në Tiranë e Durrës, 2 mijë do të ndahen…

Vendi ynë ka bërë përgatitjet për të pritur sot mbi 300 afganë, 2 ditë pasi pranoi kërkesën e SHBA. Tirana dhe Durrësi do të jenë dy qytetet ku do të strehohet grupi i parë, teksa burime bëjnë me dije se avioni i parë me afganë mund të mbërrijë që në mëngjes.

Në Durrës do të strehohen në disa hotele, ndërsa në Tiranë do të vendosen tek konviktet e Qytetit Studentit.Sipas burimeve të paktën 2 mijë afganë do të strehohen përkohësisht mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut (RMV). Shqipëria po përgatitet për të pasur në gadishmëri kapacitete për 1500 emigrantë.


Jo çdo person do të lejohet të strehohet në Shqipëri, por sipas marrëveshjes është specifikuar që do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të aleancës NATO-SHBA, ose gra aktiviste dhe intelektualë siç ka specifikuar dje kryeministri Edi Rama.

Qytetarët afganë që do të strehohen në vendin tonë kanë punuar gjatë këtyre viteve me SHBA-në dhe NATO, si dhe aktivistë dhe mendohet se do të jenë shënjestra e hakmarrjes talebane, pasi këta të fundit morën pushtetin, prandaj largimi i tyre është parë si emergjente.

Menjëherë pas konfirmimit zyrtar që Shqipëria do të hap dyert për t’i pritur, pas nisjes së “luftës”, një numër i madh i qytetarëve afganë janë paraqitur në ambasadën shqiptare në Turqi në kërkim të evakuimit drejt vendit tonë, ndonëse ashtu si kurse është bërë e ditur edhe më herët, janë një kategori personash që do të lejohen.

Shqipëria 2 ditë më parë mori vendimin se do të strehojë disa qindra afganë që kanë punuar me strukturat amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare në vendin e tyre, pas kërkesës së bërë nga Shtetet e Bashkuara. Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se vendi ynë do të shërbejë si tranzit për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion final kanë Shtetet e Bashkuara.

Ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, Rama tha se kanë mikpritur kërkesa për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit.

Pas Shqipërisë, edhe Kosova ka dhënë dritën jeshile për të pritur afganët, e ndërsa një vendim i tillë është pritur pozitivisht nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vlerësuar vendin tonë si një vend i denjë aleat i NATO-s dhe SHBA-së.

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit dhe një tjetër organizatë e njohur pritet të kryejnë operacionin, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë do të bëhet me avion ushtarak amerikanë.

Tani që talebanët morën pushtetin në Afganistan, jeta e tyre rrezikohet, e për këtë arsye NATO dhe SHBA po marrin përsipër strehimin e tyre në disa vende të ndryshme, pjesë e së cilës është edhe vendi ynë. Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet mikpritëse e njerëzve që përndiqen nga regjime totalitare, sic ka ndodhur vite më parë me qindra muxhahedinë që strehohen në një kamp në afërsi të Manzës.