
Presidenti Ilir Meta së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani vendosën një kurorë me lule dhe u përulëm me nderimin më të thellë para veprës së Heroit të Kosovës Edmond Hoxha, dëshmorëve dhe martirëve të kësaj treve të shquar patriotike të dëshmuar në shekuj.
Në një postim në Facebook, Meta nënvizon: “Shumë gjak është derdhur për Kosovën e lirë dhe të pavarur për të mbërritur në këtë ditë.
Heroizmi dhe sakrificat më sublime të martirëve të kombit do të na bashkojnë gjithmonë për të punuar për të mirën e Kosovës, Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve kudo janë, sidomos për t’i edukuar fëmijët dhe të rinjtë, me ndjenjat e atdhedashurisë në mbrojtjes të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të vendeve tona.”. Më pas Meta i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
Pyetje: Zoti President si e vlerësoni progresin e bërë nga shteti i Kosovës dhe a keni një koment për aplikimin në KiE?
Presidenti Meta: Kosova është tashmë një vend shumë solid dhe demokratik, është një shembull i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një shembull i respektimit të të drejtave të njeriut, një shembull i respektimit të të drejtave të pakicave.
Është një vend model që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, dhe padyshim që është edhe për sa u takon këtyre standardeve, që është prej kohësh anëtarë e Këshillit të Europës.
Kështu që është një aplikim që meriton mbështetjen e të gjithëve, që i shërben afirmimit të vlerave europiane të të gjithë rajonit tonë, dhe nuk i shërben vetëm Kosovës.
Pyetje: Zoti President, si e vlerësoni zgjedhjen e zotit Sali Berisha Kryetar të Partisë Demokratike?
Presidenti Meta: Në demokraci duhet të respektohet vota dhe vullneti i qytetarëve!