Vllaznia kërkon me çdo kusht fitoren e Kupës së Shqipërisë ditën e neserme në stadiumin “Air Albania”. Përballë Laçit, i cili ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës si nënkampion i Superligës, kuqblutë luajnë një sezon të tërë.
Prej ditësh opinioni futbolldashës në Shkodër e ka kryefjalë këtë ndeshje. Janë të shumta organizimet e nisura përmes rrjeteve sociale, duke nxitur një prani sa më të madhe të tifozëve në Tiranë në mbështetje të ekipit të tyre të zemrës.
Këtij realiteti, i është përgjigjur edhe klubi kuqeblu. Presidenti Alban Xhaferi ka vendosur autobusë falas për transportin e tifozëve nga Shkodra drejt Tiranës, ndërsa nga dita e dielë biletat e ndeshjes mund të gjenden edhe në sportelet e “Loro Boriçit”.
Është një ndeshje që vlen shumë, jo vetëm në aspektin sportiv të pjesëmarrjes në Europë, por edhe aspektin financiar për sezonin që po mbyllet dhe të riun që nis. Kostoja e mbajtjes në nivele të larta e një ekipi futbolli, është mjaft e lartë. Madje, flitet për shifra që kalojnë rendin 1 milion euro në sezon.
Kualifikimi në Europë sjell edhe përfitime financiare. Kështu, fituesi i Kupës së Shqipërisë kalon direkt në turin e dytë të Conference League, duke patur të garantuara sapo ngre lart trofeun minimalisht 450 mijë euro.
Kjo ka sjellë që presidenti Alban Xhaferi të ofrojë një premio shumë të lartë për futbollin shqiptar. Nëse Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë, do të marrë një shpërblim 100 milion lekë të vjetra ose rreth 100 mijë dollarë.
A do të ndikojë në karimin më të madh të futbollistëve? Mbetet të shohin në fushën e lojës nesër, në stadiumin “Air Albania”. Të gjithë tifozët kuqeblu kryqëzojnë gishtat për fat dhe urojnë “Fitoftë…Vllaznia”, jo si themi gjithmonë…më i miri! /ShkodraWeb/