Rreth dy javë më parë, me 19 prill, u mësua se aktori i mirënjohur Guljem Radoja ishte në gjendje të rëndë shendetësore në spitalin e Durrësit, qytet ku jeton artisti i lindur në Shkodër.
“Mesoj se Guljemi aktori jone i dashur qenka rende ne spitalin e Durresit nga covid. Shteti shqiptar i detyrohet ketij aktori per nje
sherbim me te specializuar jashte shtetit. Uroj te rezistosh e te fitosh Guljem.”, shkruante në Facebook skenografi i mirënjohur Bashkim Zahaj.
Pas këtij lajmi për njërin nga emrat më të shquart të artit skenik dhe kinemasë shqiptare, shpresohej ta kalonte sa më parë këtë fazë jo të lehtë të jetës. Por mesa duket, Radoja i madh nuk e ka kaluar akoma problemin shendetësor.
“Vazhdojme te shpresojme Guljem…..( transferohet nga spitali i Durresit per te Shefqet Ndroqi ne gjendje intubimi )”, shkruan sot përsëri Bashkim Zahaj, në një tjetër sensibilizim për gjendjen e aktorit.
Nuk është e qartë nëse e ka të mundur fizikisht të transferohet jashtë vendit Guljem Radoja, por do të ishte e pafalshme nëse ai do të ishte viktimë e neglizhencës së strukturave shendetësore të këtij vendi. /ShkodraWeb/