Policia Rrugore e Tiranës ka hartuar një plan masash për ndëshkimin e mjeteve të shërbimit publik, që transportojnë fëmijë e nxënës shkollash. Policia vijon punën prej një jave për kontrollin e automjeteve të shërbimit publik, që transportojnë fëmijë në shkolla e kopshte.
Kontrolli ka konsistuar në drejtim të dokumentacionit, kryesisht të kontrollit teknik të këtyre automjeteve, si dhe në drejtim të zbatimit me përpikmëri të rregullave të transportit të fëmijëve. Sipas policisë, këto kontrolle kanë për qëllim rritjen e sigurisë së jetës së fëmijëve që qarkullojnë me këto automjete.
Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë kësaj jave, Policia Rrugore e Tiranës ka konstatuar një sërë shkeljes në drejtim të kontrollit teknik të automjeteve, si dhe në drejtim të transportimit të fëmijëve, duke mos vendosur rripin e sigurimit fëmijëve, apo jashtë vendeve të lejuara, duke transportuar më shumë fëmijë sesa i lejohet.
Në këtë kuadër, bazuar në shkeljet e evidentuara, gjatë kësaj jave janë dërguar në OASH, 21 drejtues të këtyre automjeteve për këto lloj shkeljes. Policia Rrugore e Tiranës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e prindërve në këtë drejtim, që ata të mos pranojnë që fëmijët e tyre të transportohen jashtë kushteve teknike duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Policia Rrugore në të gjitha qytetet dhe njësitë administrative në të gjithë vendin do vijojë kontrollin e pandërprerë në këtë drejtim, deri në plotësimin e kushteve teknike për transportin e sigurt të fëmijëve./shqiptarja/