Ndoc Gjetja u lind 9 mars më 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur, në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik “Rrezatim”, pastaj erdhën gjashtë të tjerë: “Shqiponja rreh krahët” (1975), “Qëndresa” (1977), “E përditshme” (1982), “Çaste” (1984), “Poezi” (1987), “Kthimet” (1991) dhe “Dhjata ime” (1998).
Dikur do të thoshte: “Edhe pse kam botuar shtatë vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm, që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj.”
Gjetjen e kanë cilësuar “poet humanist”. Me siguri e kanë ndjerë këtë përmasë shumë që e kanë lexuar poezinë e tij që rri pa zhurmë dhe me dinjitet në rendin e poezisë bashkëkohore shqipe.
Bashkëkohës me poetët Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Isaku etj., Gjetja është prezantuar dikur si poet i të ashtuquajturit “grup i poetëve lezhjanë”, paçka se kontributi i tij në kulturë është edhe më konkret dhe i prekshëm.
Mjafton të kujtojmë revistën e famshme për kohën “Skena dhe ekrani” dhe ke thënë Ndoc Gjetja. Një revistë të atyre standardeve nuk e kemi as sot njëzet vjet pas rënies së izolimit.
Ai ka qenë 13 vjet kryeredaktor i “Skenës” dhe bashkë me poezinë, ajo është një nga dy gjërat më të rëndësishme që Gjetja i ka dhënë kontribut real në shoqëri. Mbyllja e revistës e nxori të papunë dhe shënoi shtegtimin nga Tirana, tashmë në kthim drejt Lezhës më 1995 ku jetoi deri me 7 qershor 2010 kur mbylli sytë pas një sëmundje të rëndë.