Vitet ikin shpejt si për ta na kujtuar se rrugëtimi ynë në këtë botë, nuk është i pafund. Natyrisht, ka data që na e sjellin më fort në mednje këtë ide, data që i lidhim me mungesa që i ndjejmë dhe nuk i ndjejmë sepse jetojmë me shpresën se do ta shohim rrugëve të kësaj bote një mik…Eduard Grishaj.
Lajmi i trishtë ka thuajse të njëjtën peshë edhe tani. Krejt papritur, pasi kishte fituar një betejë me Covid- 19, Edi iku. Iku në një natë të errët marsi, teksa priste të kthehej në familjen e tij, pranë Matiasit dhe Mirelës.
Për një mik, me të cilin ke ndarë orë pafund diskutimesh e debatesh, batutash e humori, ngacmimesh dhe stimulimesh, mund të shkruash dhjetra rreshta, ndoshta qindra. Edhe pak ditë më parë, me një mik të përbashkët, sollëm në bisedë Edin. Nuk ishte aspak e zymtë, e kujtuam për disa batuta, të cilat ai ka lënë mes nesh si për të treguar se nuk ka ikur…
Këto kohë kam takuar disa herë Matiasin. Besoj se tek ai, ndoshta më shumë se tek askush, jeton Edi, idetë dhe formimi i tij. Në shkallët e Radio Shkodrës po bisedoja disa ditë më parë, ishte ftuar si maturant ekselent, fitues çmimesh në olimpiada. Ndërsa fliste, një çast mbylla sytë. Ishte Edi, zëti i tij, maturia e tij edhe pse shumë i ri e mbi të gjitha “Dua të ndjek gjurmët e babës, do të vazhdoj degën që ai ka studiuar…” më pohoi.
Në fakt, u rrënqetha. Mu kujtua Edi, meraku i tij për shkollimin e Matiasit, përzgjedhja e gjimnazit ku do të studionte i biri. E diskutonte jo vetëm me mua por me shumë miq. Një pyetje më sillej në tru: Po sikur Edi të ishte këtu, tani…edhe pse jam i sigurtë se nga aty ku është, nuk ia heq asnjë sekond vështrimin Matiasit por edhe Mirelës, bashkëshortes që po vazhdon ëndrrat e Edit bashkë me të birin.
Unë jam i bindur se ka një jetë tjetër. Jam po ashtu i bindur se ata që ikin, nuk e shkëpusin kontaktin me këtë botë, por në një formë tjetër. Ne shkëputemi nga ata, vuajmë mungesën e tyre, nuk mund të komunikojmë veçse në ëndrra. Sepse ata asnjëherë nuk harrojnë të dashurit që lanë pas. Sidomos kur e shohin se kanë nevojë për “kujdesin” e tyre. Matiasi dhe Mirela do të kenë gjithmonë nevojë për Edin dhe ai nuk do të mungojë asnjëherë duke dhënë shenja të pranisë së tij.
Edi, besoj se e sheh edhe ti por si mik po të them me gojën e zemrën plot: Duhet të jesh shumë krenar për Matiasin e Mirelën, ashtu siç ke qenë kur ishe bashkë me ta në këtë botë. Duke krijuar një familje perfekte ashtu siç ishte edhe ti, bashkëshort, prind, mik i rrallë e i veçantë! Me siguri atje lart, po qesh me këto fjalë që shkruaj për ty. Por janë fjalë mungese e krenarie! Për të gjithë ata që të njohën në këtë botë! /Nga Blerti DELIJA/