Ernest Koliqi, u lind në Shkodër më 20 maj 1903 dhe vdiq në Romë më 15 janar 1975. Është cilësuar si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Ndërsa në poezi, siç shprehet një studiues, Koliqi u angazhua me synimin që thekson Elioti: “Asnjë art nuk është më kombëtar se poezia”. Mjaftuan dy librat me tregime “Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) që Koliqi të zërë kryet e vendit në prozë, bashkë me Kutelin, sikundër për Poradecin mjaftuan “Vallja e yjve” dhe “Ylli i zemrës” të zerë kryet e vendit në poezi. Mendimi kritik, ndërsa Konicën e cilëson “nismëtar të prozës moderne shqipe”, Koliqin e shënon “Themelues të prozës moderne shqipe”. Në krijime poetike, përveç vëllimit “Gjurmë stinësh” (1933), “Kangjelet e Rilindjes”, apo “Symfonia e shqipeve”, etj., kulmohet me “Pasqyrat e Narçizit”, me shtatë poemthat në prozë. Sipas studiuesit A. Plasari, po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie.
Tregoi aftësi vrojtuese, imagjinatë të begatë, zhdërvjelltësi përpunuese dhe asimiluese të lëndës së vendlindjes, duke e shndërruar atë në poezi atdhetare, në ditiramb për gjuhën shqipe, në këngë malli e përgjërimi për Shkodrën, në tingëllimë dashurie, ku ndihet “shfrimi muzikuer i fjalëve”.
Filloi studimet më 1918) dhe në Bergamo themeloi të përjavshmen “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku botoi vjershat e para në italisht. Ishte 18- vjeçar, kur u kthye në Shqipëri, kur fitoi konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar nga një juri ku bënte pjesë Fishta, Noli, Mit`hat Frashëri, Luigj Gurakuqi. Këtë “shfrim muzikuer të fjalëve” po ta ndjekim nëpër etapat krijuese të autorit, do të vëmë re se poeti e realizon duke u ushqyer nga tre burime kryesore: Burimi i parë është Shkodra dhe më pas viset arbëreshe. Burimi i dytë janë gojëdhënat, këngët, përrallat e gjithçka folklorike, si: Cikli i Kreshnikëve, rreth të cilave bëri studime dhe mbrojti tezë doktorature. Burimi i tretë është kultura italiane e botërore, që mori qysh herët, kur shkollohej në Itali, kulturë prej së cilës mori e dha. Përvetësoi modele poetike, jo duke imituar, por duke asimiluar dhe pastaj aplikuar në shqip.
Veprimtaria
Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të qarkut letrar të Shkodrës. Duke përthithur dhe asimiluar kulturën poetike arbëreshe, kulturën poetike klasike dhe moderne, veçanërisht atë latino-italiane. Ishte ministër i arsimit në kohën e pushtimit italian gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa po drejtonte arsimin shqiptar. Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse nuk përmbante asfare shenje a parashenje politike. Ajo u ndalua, për shkak të veprimit politik të autorit. Koliqi ishte themelues e drejtues revistash, ku botohej e trajtohej letërsia e kultura shqiptare si:” Ora e Maleve”, “Shkëndija”, “Shêjzat”. Gjatë 60 vjetëve të punës si erudit dhe krijues i nivelit të lartë lëvroi një poezi me lëndë tërësisht shqiptare e ambiente shkodrane. Motivet e kësaj poezie evokojnë veçanërisht lashtësinë e racës vitale të të parëve, të bujarisë dhe fisnikërisë, evokojnë gjuhën shqipe, doket dhe zakonet, duke aspiruar që mbi trungun e lashtë stërgjyshor të shartohet filizi i ri i qytetërimit perëndimor.
Është këngëtari dashnor më i plotë dhe më i begatë i Shkodrës,”pasqyrë e odave të mëdhaja, trapazan i shtëpisë shkodrane që censhëm përpunuan daltat mjeshtrore”. Nëpërmjet një lirike plot ndjeshmëri dhe ngjyrë të kopshteve dhe të qiellit shkodran, pasqyroi çaste intime dhe përjetime sublime, një botë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme të jetës shkodrane nga këndvështrimi i një zotniu fisnik dhe të kulturuar që studimin në dhé të huaj e vë tërësisht në shërbim të përparimit të atdheut dhe kulturës kombëtare. Mjafton të kujtojmë se ” gjatë vitit shkolluer 1941-42, si Titullar i Arsimit, dërgon në Kosovë 200 mësues e mësuese. Më në fund erdhi çasti historik i hapjes së Shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, realizuar më 12 Dhjetor 1941″. Përkthen poetë të mëdhenj shqiptarë në italisht (Fishta, Ali Asllani).
Veprat
Kushtrimi i Skanderbeut, (1924) Hija e maleve (1929), Gjurmat e stinëve (1933), Tregtar flamujsh (1935) Pasqyrat e Narçizit (1936), Symfonia e shqypeve (1936). Kangjelet e Rilindjes (1959), Shija e bukës mbrume (1960), Albania (1965), Epika popullore shqiptare (1937),