PERSONAZH – Shuhet Kristina, bija e Mark Gjomarkaj, ikonë e disidencës shqiptare…!

Eshte shuar afro moshes 90 vjecare ne Shkoder, nje prej grave ikona te disidences shqiptare, Kristina, bija e Mark Gjomarkajt. Libra te tere nuk mund ta sillnin te plote “malin e vuajtjeve” te saj, te motres, nenes, vellait dhe gjithe rrethit te saj te afert, nga persekucioni i pashembull komunist qe ra brutalisht mbi kete Familje te Madhe.

Po sjell nje pjese nga libri “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi.


(…Kristina Mark Gjomarkajn, e internuan bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Ishte vajzë e Mark Gjomarkut, që drejtonte rezistencën kundër sistemit komunist, I cili u vra me 1947-ën.

Kristina na tregon: – “Isha 12 vjeçe kur na dërguan në lagjen Prru, të Beratit. Nëna ime ishte e sëmurë, i filloi paraliza. Polici ruante në errësirë, për ta vërtetuar a ishte vërtetë e paralizuar nëna (mendonin se nuk ishte e vërtetë!)

Për arsye të paralizës së nënës, më morën mua 12 vjeçe, më hoqën nga shkolla, e më detyruan me punue me normë. Më larguan nga familja, më çuan me punue në Kuçovë, me gra të huaja. Në një dhomë banonim 20 (njëzet) gra, ato ishin dibrane dhe mirditore. Policët që na ruanin natën, qeshnin, qeshnin ose ma mirë zgërdhiheshin.

Gratë e shkreta kishin shumë vapë në ato ambiente (ishin në stinën e verës), ishte një nxehtësi e padurueshme…! Ato vuanin, ndërsa ata (rojet me pushkë) talleshin me vuajtjet e tyre.

Flinim në tokë, dërrasat ishin të vendosura mbi tokën me lagështirë. Dyshekun që fleja e bëja si thes, mbërtheja veshjet në duar e në këmbë, që të mos më hynin bretkosat në trup…!

Me drapnin në dorë, pritnim misrin…, por aksidentalisht unë preva këmbën. Ishte natë, temperatura më shkoi 40°, isha vetëm, nënën nuk e kisha pranë, ishin të gjitha gra që nuk i njihja. Ato më qëndruan mbi kokë, ndërkohë nuk m’u dha asnjë ndihmë mjekësore!

Punoja me karrocë, përgjatë rrugës ajo më derdhej, se isha e vogël,…por drejtori dhe kapterët argëtoheshin me këto skena, ato vetëm zgërdhiheshin me një të mitur që vuante.

Ne, të internuarat punonim bashkë me të burgosurit në kamp, ecnim për tre, mos me e prish rreshtin. P. Anastasi, ishte kapiteni i të burgosurve dhe të internuarve… një ditë ai thirri një nuse të re nga Kavaja, burri i saj kishte kalue kufirin, me një fjalë, ikë nga Shqipnija, ishte 20 vjeçe, quhej Servete.

E izoloi Serveten në fushë, nuk linte t´i afrohej asnjë shoqe, i kërkonte të plotësonte normën…, e torturonte… Por ajo nuk u dorëzua asnjëherë.

Ato femra që arrinte t’i thyente, që i binin në dorë, u jepte bukë, ndërsa ato që rezistonin, i lente me tre ditë pa bukë…! Një djalë të ri, e rrahu një ditë shumë, gjithë inatin e akumuluar ja shkarkoi. E morën kapitenin, i dhanë një vërejtje për tre muaj, por e prunë përsëri drejtor kampi..!

Një ditë kur po kthehesha nga puna, mbas disa javësh pashë gjyshen time të dashur që nuk e njoha, ajo ishte dobësua aq shumë, nuk kishte mbetur as gjysma e saj…! Ajo shihte vuajtjet tona, të vegjëlit që ishin të detyruem të punonin, uria që na shoqëronte në çdo moment, dy djemtë iu vranë, në rezistencën antikomuniste, Martën – hallën teme e kishin arrestua, po ashtu dhe hallën tjetër Bardhën, axhën e dashur Dedën, e kishin burgosun… kudo dhimbje e mjerim”.

“Në Berat – vazhdon tregimin Kristina – më mbajtën katër vjet. Na fusnin me punue në nxjerrjen e të vdekurve nga varret…!

Në Tepelenë më vunë me punue në bartjen e druve. Isha e vogël, e parritur, ngarkesa e druve për mue, ishte e rëndë, gjatë ecjes drutë takonin tokën. Rojet edhe me këtë skenë qeshnin, talleshin, zgërdhiheshin. Ne, vajzat e reja na fusnin me punue në transportimin e plehut të njomë. Kishte raste që na nisnin për punë në orën 12 të natës. Zakonisht niseshim herët në mëngjes, duhej të banim normën e druve. I ngjiteshim malit të Gjolikut, ngarkonim në shpinë drutë dhe zbritnim malin të ngarkueme, i vendosnim drutë në fushë, duhej të banim këtë punë në verë dhe në dimër.

Më kishin lanë pa shkollë në Berat, në moshën 16 vjeçare, kur ishim të internueme në Elbasan, më dërguan në shkollë. Me vinte turp, isha ma e madhja në klasë. Kam punue në Vidhas në hekurudhë, ku më shumë duhej me punue natën. Të burgosurit punonin ditën, ne të internuarit natën.

Kam marrë pjesë në mbjellje ullinjsh, në mbajtje tullash, në ndërtimin e burgut të Vlorës. I kërkoj nanës fotografitë e rinisë që i kisha bërë në Savër të Lushnjes – i thashë. -Të lutem, me trego fotografinë e rinisë! Ajo u përgjigj:

-Po ta tregoj fotografinë time, se atë me familje nuk e kam, shumë më kanë humbur gjatë transferimeve, shtegtimet tona ishin të pafund. Ja si e tregon historinë e fotografisë:

– Ishim në Kamëz në Tiranë, ku punonim tjegulla në fabrikë..! Morëm vesh se në kryeqytet, jepej filmi “Skënderbeu”..! Kishte ardhur një ditë një djalë shkodran, shofer, me pa të afërmit e vet. Sapo u err, na dolëm fshehtas nga kampi, na mori shoferi me makinën e tij, e pamë filmin, u kënaqëm…, në këtë kohë hyna në studio dhe bana një fotografi, por… kur u kthyem, ishte dhanë alarmi në kamp…, atëherë ne u zvarritëm dhe kena hy barkas nën telat me gjemba..! Na udhëhoqi Valentin Previzi, njeriu që kishte mbaru Akademinë Ushtarake në Itali. Në sajë të udhëzimeve të tija, mundëm me hy brenda territorit të kampit, ndërsa burrat që i kapën, i rrahën si zakonisht.

Vazhdoi internimi me dhjetëra vjet, u rrita, tashti punoja në fushat e Myzeqesë, si në Savër, Gjazë, në punim toke, prashitje, vjelje pambuku, punë në diell e në shi, në të ftohtë apo në nxehtësinë e diellit në verë, me dy herë apel në ditë. Gjatë bisedës ajo më tregon një ngjarje, kur ishte e vogël 12 vjeçe në Vlorë:

– Kisha nevojë për mjekimin e dhëmbëve e më shoqëroi polici për te dentisti, ai ishte i pajisur me pushkë dhe vinte pas meje…, Roja me pushkë… fëmijët e rrugës më shanin tuj bërtitur “Vajza që ka vjedhur ”. Gjatë gjithë kohës kam qa, gjithkund tue më poshtënue, tue qa, u ktheva tek nëna jeme, që ishte e paralizume, vetëm ajo me shikimin e saj, me atë dorën që ta vente ëmbëlsisht tek koka, ta largonte vuajtjen, stresin që po provonim që në fëmini, por që më ka mbetur në kujtesë: Jemi në Tepelenë, janë muajt e verës të viteve 1949 – ‘50, ‘51, ‘52, na çonin me transportu bar e pleh, kalonim urën e Dragotit, që ishte e lëvizshme, shkonim me marrë bar të thatë, na banin me bë dy, tre rrugë, nuk na lejonin me ndalue, për me pi ujë… u thamë për ujë!

Me ne vajzat 16 vjeçare ishte edhe Elena Bega (franceze, gruaja e inxhinierit të tharjes së kënetës, së Maliqit), që ishte dënuar gjoja për sabotim. Në një moment të lodhjes së madhe, të etjes së pafund, të tharjes, jo vetëm të gojës, por të gjithë trupit, më lindi mendimi të hidhem nga ura e Dragotit…, me këtë veprim doja të dënoja dhe policin e keq, që na torturonte, që nuk na lejonte të pinim ujë… por shoqet e mija, në veçanti Lajde Miraka, nuk pranoi, ajo më tha “Jam vajzë e vetme, prindërit…”!

Isha e vogël, isha shumë e dëshpërueme, doja të mbysja veten, njëherit edhe policin…! Por edhe ky moment kaloi, shoqet e mia Lajde, Gita Luka, etj., treguan që ishin të reja në moshë, por të rritura para kohe në mendime…!

Këtë veprim e mori vesh Lekë Previzi (kushëriri i jem), i interrnuem, që ishte me shpirt artisti dhe më tha: -Kristina! Në asnjë mënyrë mos me e pranu vdekjen, por duhet të rezistojmë…, se do të mbijetojmë, shpreso në të ardhmen, ajo na mban gjallë…!

Kur na dërguan në internim në Savër të Lushnjes – vazhdon tregimin Kristina – morëm leje nga polici i qendrës së Savrës, leje për të dalur në qytetin e Lushnjes. Ecnim rrugës, në çdo çast ktheja kokën prapa, me dukej se më ndiqte, ai, polici. Në Savër më bëhej apeli dy herë në ditë, në mëngjes e në mbrëmje.

Kaluan vitet, jam në Myzeqe – vazhdon tregimin Kristina – e punonim në kanalin me ujë, ishin motrat Kaloshi (Avidana e Dozia), Veronika Dosti dhe unë. Ishte dhjetor, binte shi. Duke kaluar mbi kolektor, Veronika kaloi, ndërsa unë rashë në ujë, isha duke u mbyt, sapo kisha mbushur të 20 vitet e jetës seme…, por më nxori Avidia. Në ato momente që po merrja vetin, i them shoqes -Pse më nxore? Pse s’më le të vdisja? Po të gjitha shoqet e mia, që dhe ato po vuanin si unë, më dhanë zemër dhe motoja jonë ishte: “-Në asnjë mënyrë me pranue vdekjen, të rezistojmë…”!

Kështu kaloi jeta e jeme. Në vitin 1974 u martova, të nesërmen më vdiq nëna. Formova familje në Shkodër me Z. Gjovalin Vata, që kishte ba njëzet vjet burg politik, një burrë me shpirt të madh e duar të arta.

Linda një djalë, burri me vdiq tue më lanë me djalin e vogël, e rrita, kjo është dhurata më e bukur e jetës teme.

E mbaroi tregimin e saje mira Kristine, që sytë e saj, e kanë ende atë ndriçimin e bukur të rinisë, ato cirkat shumëngjyrëshe të irisit të saj të jashtëzakonshme. Dhe unë që shkruaj jetën e tyre, kaloj nëpër të njëjtat hulli, jetoj ato emocione të rrugëve tona e të shtigjeve të përbashkëta…!) /Nga Gjergj MARKU, publikuar në Facebook/