Ndoshta brezi i ri nuk e njeh ose e njeh shumë pak emnin dhe veprimtarinë muzikore të At Filip Mazrrekut, mësuesit dhe edukatorit të nji brezi muzikantësh, disa prej të cilëve u shquen ma vonë në rang vendi për vlerat cilësore të krijimtarisë dhe të angazhimit të tyne në fushën e artit muzikor. Arsyen e nji mosnjohje të tillë duhet ta kërkojmë në përsekutimin e egër që ushtroi mbi ‘te dhe bashkëvlleznit e tij klerikë, rregjimi i shkuar komunist.
At Filipi rrjedh nga nji familje e thjeshtë patriotike kosovare. Baba i tij, Pjetër Mazrreku, merr pjesë me armë në dorë në luftën e udhëhequn nga Bajram Curri për lirinë dhe pamvarësinë e trojeve shqiptare nga sundimi shumëshekullor otoman. Me porosi të Bajram Currit ai ngarkohet me mision në qytetin e Selanikut. Pikrisht në këte qytet, ku kishte marrë edhe familjen, lindi më 7 shtator 1913 Filipi. Pas kryerjes së misionit të ngarkuem në atë qytet, Pjetër Mazrreku kthehet në Shqipni dhe vendoset familjarisht në qytetin e Shkodrës.
Shkollën fillore e kreu pranë Shkollës Françeskane ku, krahas landëve të kulturës së përgjithëshme, manifestoi dhe prirjen e tij për artin muzikor. I paisun nga natyra me një za të bukur fëminor, ai shquhet sëpari si korist dhe ma vonë si solist në veprimtaritë muzikore që zhvilloheshin herë pas here në ambientet e shkollës. Një gja e tillë terheq shumë shpejt vemendjen e mësuesit të tij të muzikës, kompozitorit të shquem të traditës sonë muzikore At Martin Gjioka. Nën mbikqyrjen dhe kujdesin e tij ai merr njohunitë e para muzikore dhe fillon të ushtrohet në intrumentin e organos, intrument të cilit do t’i kushtojë, gjatë gjithë jetës së tij si muzikant, nji vemendje të veçantë. Përmes studimit të këti instrumenti ra në kontakt dhe filloi të familjarizohet me krijimtarinë monumentale, shkrue për këte instrument nga kolosët e artit muzikor botnor, Bach, Hendel, Beethoven etj.
I thirrun nga ideali françeskan, Filipi i ri, shpreh dëshirën dhe pranohet si rishtar në Kolegjin Françeskan. Me hapjen e Liceut ‘Illyricum’ nga etnit françeskanë në vitin shkollor 1922-23, rishtari Filip Mazrreku asht nji ndër nxanësit e parë që e fillon dhe e pëprfundon shkollën e mesme në këte lice.
Me hapjen e këtij liceu u krijuen gjithashtu kushte të favorshme edhe për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme artistike -muzikore. Kështu, krahas ngritjes së orkesters frymore me të rijtë e liceut, At Martin Gjoka pasunon me elementë ti ri kompleksin vokal-intrumental të Kishës Françeskanëve të Gjuhadolit që, me kalimin e kohës, do të bahet i njohun për nivelin e interpretimit të repertorit që egzekutonte. Midis pjesëmarrësve të këtij kompleksi, shquhet gjithnji e ma shumë organisti Filip Mazrreku.
Studimet e nalta fetare ai i kreu në qytetin e Firencës (Itali) ku gjithashtu vazhdoi të thellojë njohunitë dhe kulturën e vet muziukore si dhe të aktivizohet si organist pranë kishës dhe ambjenteve të mbrendëshmne të kuvendit ku At Filipi qëndroi për katër vite si student.
Me 13 shtator të vitit 1936 shugurohet meshtar dhe megjithë ftesën që i bahet për të qendrue si organist në qytetin ku përfundoi studimet e nalta fetare, At Filipi kthehet në Shqipni për të nisë veprimtarinë e tij të frytshme në fushën e muzikës.
Pas mbylljes me 1933 të shkollave private në Shqipni, veprimtaria e grupeve artistike-muzikore, me bazë fëmijët dhe të rijtë e shkollave françeskane, shkon tue ra nga viti në vit. Ndërkohë At Martin Gjoka, për arsye shëndetsore largohet nga Shkodra dhe qendron per disa vite në nji fshat malor të zonës së Dukagjinit.
Me kthimin nga studimet jashtë shtetit, deri me hapjen po atë vit të shkollave private [dhe fetare], At Filipi i vehet punës per ripertimjen e korit të Kishës Françeskane të Gjuhadolit me elementë ti ri kangëtarë. Falë punës plot pasion dhe aftësive të tij në fushën e pedagogjisë vokale, ai arrin të formojë nji asnambël koral me kerkesa mjaft profesionale. Nga gjini i këtij ansambli kanë dale disa nga elementë kangëtarë që janë aktivizue ma vonë me sukses në grupet korale pranë institucioneve artistike e muzikore qendrore apo lokale, midis të cilëve do të shquhet në mënyrë të veçantë artisti i madh i skenës sonë operistike, basi Lukë Kaçej.
Në të njaten kohë me ecurinë dhe pjekurinë vokale-interpretative të grupit korale, At Filip Mazrreku, në bashkëpunim me kompozitorin e ri Prenkë Jakova, filloi punën për formimin e kompleksit orkestral. Mbrenda nji kohe relativisht të shkurtë, ata arrijnë të bashkojnë rreth vetes instrumentistët ma të mirë të qytetit të Shkodrës. Pjestarët e këtij formacioni orkestral që mori fizionominë e tij të plotë nga fillimi i viteve 40 të shekullit të kaluem, do të ishte dhe berthanma e orkestres me profil simfonik që do të formohej dhjetë vite ma vonë në qytetin e Shkodrës.
Jehona e interpretimit të repertorit të zgjedhun kishtar nga kompleksi koral orkestral i Kishës Françeskane të Gjuhadolit do të mbetet për nji kohë të gjatë në kujtesen e ndigjuesve shkodranë edhe ma gjanë.
Vendosja e diktaturës komuniste në vendin tonë solli me vete, sëbashku me mbylljen e shkollave private dhe të institucioneve të ndryshme fetare edhe ndalimin e çdo veprimtarie me karakter edukativ dhe kulruror-artistik që zhvillonin ata.
At Filipi, ashtu si shumë kolegë të tij, detyrohet të largohet nga Shkodra dhe të sherbejë si famullitar, së pari në Berishë të Pukës, ma vonë në Laç të Kurbinit dhe sëfundi, në Troshan të Lezhës. Me ndalimin e plotë të ushtrimit të fesë, me 1967, dhe prishjen apo shëndrrimin e kishave dhe faltoreve në kinema, pallate sporti, klube rinie apo depo mallnash, At Filipi i kalon vitet e fundit të jetës së tij si punëtor i rendomtë në kooperativën bujqësore të Troshanit.
Vdes dhe varroset po në Troshan me 1 nandor të vitit 1984. Vepra e At Filip Mazrrekut, françeskanit gojë ambël dhe punëtor, do të mbetet gjthnji të pashyeme në kujtesen e nxanësve të tij.
/Nga Tonin ZADEJA, Shkodër, 9 shtator 2003 [Shkrimi asht marrë nga Vëllimi MUSICA ALBANICA–Jeta kulturore e Shkodrës (mesi i shek.XIX-mesi i shek.XX) (f.159-161)]/