
Agim Gjakova lind më 11 korrik 1935 në Kavajë. Shkollën fillore dhe të mesme, Normale, i kreu në Gjakovë. Punoi si mësues (1952-1954). Studioi në Beograd për gjuhë e letërsi frënge dhe letërsi botërore në Fakultetin Filozofik. Gjatë kohës që ishte në Beograd themeloi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. U burgos tri herë dhe më në fund, më 1960, u dëbua në Shqipëri si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav, duke mos i lënë shteg t’i mbaronte studimet.
Punoi si mësues në Kavajë (1960-1962). Më 1966 kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji për degën e anglishtes në Tiranã. U mor si redaktor-përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (1966-1970), kaloi në arsim (1970-1978), në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1988-1990), si skenarist.
Në vitin 1999 erdhi në Kosovë. Punoi si redaktor për kulturë në gazetën “Bota sot” deri më 2006.
Më 1965 u martua me Naime Dacin (e mbetur jetime në moshën katërvjeçare se i ati i saj, Jahja Daci, u zhduk nga regjimi jugosllav më 1945).
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri është ndjekur gjatë gjithë kohës nga Sigurimi i Shtetit. Për krijimtarinë e tij me temë nga Kosova dhe për frymën demokratike që e përshkonte ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar.
Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 1967, diskutoi për trajtimin në letërsi të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. U prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese”. U akuzua se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e Partisë, ose që nuk i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi (apo edhe arrestimi), urdhri i të cilit nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.
Pas botimit të romanit “Në Kërkim të së vërtetës”, vepra u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” (“I gjuaj ëndrrat me gurë”), së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë u akuzua se është kundër: Ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit; si edhe për hermetizëm e luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë).
Që atëherë emri i tij u vu i pari në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht” dhe, pasi veprat e tij nuk qenë në përputhje me oreksin e regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk mundi t’i botonte të gjitha, por edhe u mbajt nën vëzhgim dhe në një formë izolimi e injorimi gjatë gjithë kohës, i mbikëqyrur në mënyrë të egër deri më 1990 nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë.
Krijimtaria:
Përmbledhjet poetike
1.Dhe thonë se paqe ka në botë,
2. Kangët e Dinit të Bardhë,
3. Perspektivë,
4. Obelisk,
5. I gjuaj ëndrrat me gurë,
6. Deti,
7. Guxo e vdis,
8. Kufiri imagjinar,
9. Saga flurore.
Proza
1. Dritëhijet e një qyteti (roman),
2. Në kërkim të së vërtetës (roman),
3. Herezi (roman),
4. A ka kund zot (roman),
5. Loja e kafkave (roman),
6. Korridoret e gjelbra (roman),
7. Mëhalla e kolegëve (roman),
8. Rrëfimet… (roman),
9. Nën hijen e pavdekësisë (tregime),
10. Shtëpia në udhëkryq (tregime),
11. Themelet e reja (roman për fëmijë),
12. Vjen përroi (tregime për fëmijë),
13. Përsiatje (ese filozofike-sociologjike), etj.
Drama e skenarë
1. Ishulli i argëtimit (dramë),
2. Nusja (skenari xhiruar).
3. Guri i besës (skenar i xhiruar),
4. Fundi i një gjakmarrjeje (skenar i xhiruar) etj.
Publicistikë
1. Kosova edhe e shkrumueme është e hijshme, 2. Publicistika I dhe II, etj.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!