Ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në konferencën e përjavshme me mediat se për Edi Ramën “do ketë një gjykim popullor” në lidhje me skandalet e denoncuara për vjedhje.
Ndër të tjera, Berisha tha se Rama mund të sulmojnë institucionet e drejtësisë, por popullin nuk do e ndalë dot që të kërkojë dënimin e kryeministrit dhe qeveritarëve që janë të denoncuar si të përfshirë në afera korruptive.
“Beteja do jetë vendimtare, nuk mund të kalojë në këtë mënyrë. E ka bllokuar drejtësinë por nuk bllokon dot popullin. Populli është tjetër, do e shohë si mund të bllokohet populli.
Ajo është aferë me dokumente, do jenë qytetarët që do bëjnë gjyqin”, tha Berisha lidhur me skandalin e inceneratorëve.
“Revolta, drejtësia dhe shteti ligjor janë mekanizmi institucional, kushtetues më efikas për parandalimin e revoltave. Asgjë nuk nxit revoltën më shumë se sa bllokimi i drejtësisë, këtë po e bën Edi Rama jo opozita.
Jeni dëshmitarë të sulmeve të tij publike kundër skap-it të partisë, sikundër skap kishte vendos të ndalonte ndonjë, Agacin apo Ahmetin e me radhë dhe ju e patë cfarë presioni i bëri.
Ai skap mund ta tulatë, ta bëjë të heshtë ta urdhërojë të ndërmarrë sulme politike por populli jo, populli është popull, kërkon ndëshkimin e Ramës dhe qeveritarëve të tij për vjedhje me firma dhe dokumente.
Nuk ka më opozitë që mund të mbyllë sytë para këtyre akteve”, tha Berisha.