Askush në faqe të dheut nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij. Të paktën deri sot e të paktën në një vend siç eshtë Shqipëria. Përveç se i vogël, përgjithësisht i mbushur me njerëz që më shumë se për punët e veta, interesohen për punët e të tjerëve. Duke nisur nga presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit, ministra e deputetë, kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë, drejtorë të mëdhenj e të vegjël, mund “të verifikohen” lehtësisht pa patur nevojë as për prokurori, ILDKP, antikorrupsion e SPAK. Aq më shumë, kur jemi vetë të prirur të tregojmë “bëmat tona”.
PD ka nisur prej muajsh tashmë, një proces verifikimi për të shkuarën e kryetarëve të bashkive të PS-së të ardhur në pushtet pas 30 qershorit 2019. Pavarësisht se një subjekt politik i madh e i konsoliduar, nuk disponon një datebase apo të dhëna të detajuara për të gjithë individët. Por nga ana tjetër, është një subjekt politik me antarë…shqiptarët. Komshinjtë sot të dinë edhe sa lugë ke në shtëpi. Kështu duket se ka nisur në zanafillë edhe procesi i verifikimit i nisur nga PD. Janë ato që në anglisht quhen “rumors” dhe në shqipen tonë të përditshme, thathesheme. Pas tyre, është e lehtë të fillojnë kërkesa e kërkime zyrtare ndërsa 500 firma për të mbështetur kërkesën për prokurorinë, janë vërtetë sipërmarrja më e lehtë.
E gjithë kjo parantezë, jo për të treguar efikasitetin apo zgjuarsinë e PD-së për të zbuluar kryebashkiakët “me hije në biografi”. As për të treguar për të disatën herë, se pikërisht ata “me hije në biografi” janë më të preferuarit e politikës për tu katapultuar. E gjithë kjo për t’i hequr justifikimin PS-së dhe Edi Ramës se “nuk kanë patur mundësi t’i verifikojnë para kandidimit”.
Ashtu si PD-ja edhe PS-ja është një parti e madhe dhe e shtrirë gjerësisht në territor. Madje, me datebase fillestare të trashëguar që para 1990-ës. Pa patur nevojën e prokurorisë apo të ILDKP-së, mund të kishin bërë verifikime për “rumors”. E duke patur parasysh se po futeshin në garë të vetëm me 30 qershor, pra ishin të sigurtë në “fitore”, mund të tërhiqeshin nga emrat “me hije” për ti zëvendësuar me të tjerë. Aq më tepër, kur edhe ata që janë aktualisht krybashkiakë, nuk janë edhe aq shumë “socialistë të gavetës”. Në rastin e PS-së, në alternativën më të mirë të mundshme, nuk ka funksionuar as sistemi i thashethemeve. E kjo është e rëndë. Ose PS nuk është interesuar fare për këtë çeshtje duke bërë verifikime paraprake, ose nuk funksionon “rumors” në bazën e këtij subjekti politik.
“Më mirë një kriminel në liri se një i pajfajshëm në burg”, është aksioma e drejtësisë njerëzore. E kështu, më mirë një kryebashkiak i ndershëm i djegur nga “rumors” apo thashethemet se dy-tre të zgjedhur si të tillë që u dalin “hijet në biografi” pas zgjedhjes.
Sipas gjasave nuk do ta lexojë kurrë Edi Rama këtë tekst, por zgjedhje do të ketë përsëri në këtë vend. Shpejt apo vonë, për kryebashkiak apo deputet, Rama të paktën edhe një herë, do të ketë të drejtën e firmës për përzgjedhjen e emrave. Nuk ka nevojë aspak të kërkojë verifikime në institucionet vendase e të huaja. Ta fillojë nga “rumors” brenda partisë së tij. Vertetë që jemi pakësuar e po pakësohemi çdo ditë brenda kufijve të këtij vendi. Por mes nesh kanë mbetuar akoma 140 të ndershëm për “baballarë të kombit” dhe 61 për administratorë lokalë. /Shënim i ShkodraWeb Media/