Ndaj Bylisit në fazën e dytë të kampionatit Vllaznia fitoi me golin e Ardit Hoxhajt në minutën e 95-të dhe pas asaj ndeshje nisi seria e rezultateve negative për të. Që prej asaj ndeshje, kuqeblutë kanë nisur kalvarin e vuajtjeve dhe këtë e tregon më së miri fakti që në 8 ndeshje rradhazi, kanë marrë vetëm 7 pikë.
Natyrisht shumë pak për një ekip që pretendon të shpallet kampion, megjithatë për fat të tij, edhe ekipet e tjera nuk kanë bërë mirë dhe prandaj Vllaznia vazhdon të jetë e para në renditje. Në kampin shkodran ka shumë besim se kthesa do të vijë. Shenjat u dhanë edhe ndaj Kukësit, ku ndonëse nuk fituan, pati shumë raste shënimi të shpërdoruara nga futbollistët vendas.
Ndaj Bylisit sot në orën 13.00 stadiumin “Loro Boriçi” patjetër që do të tentohet fitorja sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet vendi i parë në renditje. Stafi teknik ndërkohë i ka sytë nga infermieria sepse janë tre futbollistë me probleme dëmtimesh. Dy të parët, Isaevski e Marku, kanë disa ndeshje që mungojnë por atyre u është shtuar tashmë edhe braziliani Da Silva që u dëmtua në ndeshjen e fundit.
Me shumë mundësi, ky lojtar do të mungojë ditën e sotme, por shpresat janë që të rikthehen dy të tjerët. Si Isaevski, ashtu edhe Marku janë lojtarë të rëndësishëm për Vllazninë dhe prania e tyre në fushë do të jetë një plus më shumë për të.
Objektivi është i qartë, fitorja e kësaj ndeshje, por jo vetëm kaq. Skuadra duhet të tregojë se është rikthyer në ditët e saj më të mira dhe të bëhet gati për sfidat e mbetura të kampionatit që do të jenë shumë më të vështira për të. /ShkodraSport/